Shëndeti mendor në situata emergjente, ekspertët thirrje për ndërgjegjësim: Shmangni mjetet teknologjike

Shëndet | 12 muaj më parë

Problemet që lidhen me shëndetin mendor janë kthyer tashmë në një çështje globale. Në Shqipëri janë shtuar rastet me çrregullime të neurozhvillimit të raportuara nga shkollat.

Në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, zhvillimi i workshop-it me temë “Shëndeti mendor në situata emergjente” synon bashkërendim institucional që lidhet me këtë çështje.

“Ne kemi promovuar, trajnuar profesionistë të ndryshëm, qofshin këta mjekë psikiatër, psikologë që punojnë në shërbimet e shëndetit mendor dhe psikologë në shkollë, se si ata të përdorin këtë platformë, e cila është e certifikuar dhe ndihmon ata persona 15 vjeç e lart që kanë simptoma të lehta të moderuara të depresionit ose ankthit. Është vërtetuar që është shumë efikase, sidomos për ata adoleshentë që kanë mendime vetëvrasëse. Programet e inteligjencës artificiale janë thjesht një funksion ndihmues, por kurrsesi nuk e zëvendësojnë dot ndihmën që marrim nga njerëzit e tjerë”, tha Andia Meksi, psikologe klinike.

Shqetësimi në rritje mbi problemet e shëndetit mendor nga njëra anë dhe nevoja për mekanizma mbrojtës nga ana tjetër, në një botë që po ndryshon me ritme të shpejta, kërkon ndihmë të specializuar. Një workshop me temë “Shëndeti mendor në situata emergjente” synon bashkërendim institucional për këtë çështje.

Së fundmi, nga shërbimi në qendrat komunitare, rastet më të shpeshta referohen nga institucionet shkollore.

“…një numër i madh rastesh, jo domosdoshmërisht për shkak të shtimit të problematikave, por edhe prej shtimit të ndërgjegjësimit. Kohët e fundit jemi duke u hasur me më shumë raste, të raportuara nga shkolla dhe kryesisht janë të lidhura me problematikat e neurozhvillimit. Ka edhe raste të cilat vihen re gjatë të gjithë vitit, të lidhura me bullizmin. Një ndikim shumë të lartë ka edhe ekspozimi i lartë ndaj ekraneve dhe ndaj teknologjisë. Vërehet një tendencë për izolim social të fëmijëve, krahasuar me më përpara. Pranë Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor nr. 2, ku dhe unë punoj, shohim midis 7 dhe 10 raste në ditë, të cilët vijnë për të realizuar një vlerësim të detajuar dhe për të marrë ndihmë nga ekipi multidisiplinar i qendrës”, tha psikiatrja Enita Metaj.

Një tjetër sfidë mbetet ajo e ndërveprimit pa barriera mes sektorëve përgjegjës.

“Një nga sfidat që u vu re ishte pikërisht mungesa ndonjëherë e harmonizimit të institucioneve për të bërë më mirë detyrat e tyre. Mendoj që ky workshop ia arriti qëllimit për të rritur ndërgjegjësimin që institucionet duhet të bashkëpunojnë shumë më mirë me njëri-tjetrin, qoftë edhe duke anashkaluar formalizmat, ndonjëherë të panevojshëm”, tha Gentjana Qirjako, eksperte e Shëndetit Publik në ISHP.

Me ndryshimin e kohërave, përfshirë hovin që ka marrë zhvillimi teknologjik, ekspertët bëjnë thirrje për ndërgjegjësim, ndërsa kostot në shëndetin mendor janë shumë të larta.

Gazetare: Elda Hasanbelli   

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme