Hapet qendra e re e shëndetit mendor në Lezhë,  shërbime multidisiplinare për tre bashki

Shëndet | 12 muaj më parë

Ka hapur dyert Qendra e re Komunitare e Shëndetit Mendor në Lezhë, e cila do të ofrojë shërbime të specializuara multidisiplinare në një nivel rajonal. Kjo qendër, e para e këtij lloji në Qark, do të mbulojë nevojat për mbështetje të specializuar të banorëve të zonës së Lezhës, Kurbinit dhe Rrëshenit.

Në një vizitë në qendrën e re, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prof. Evis Sala, shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, theksoi rëndësinë e këtij investimi, i cili erdhi si bashkëpunim mes Bashkisë dhe MSHMS-së.

Ministrja Sala e vuri theksin te eliminimi i stigmës rreth këtij problemi shëndetësor, duke deklaruar se shëndeti mendor është një sëmundje si gjithë të tjerat.

“Shëndeti mendor nuk duhet të jetë më një tabu. Është i rëndësishëm ndërgjegjësimi për të mos parë ndryshe një njeri që ka probleme të shëndetit mendor. Qasja në shërbime duhet të jetë e barabartë për të gjithë. Pa stigmatizim, pa vonesa, pa përjashtime,” u shpreh Ministrja.

Kujtimi i kësaj ishte në linjë me Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, duke theksuar se “Nuk ka shëndet të mirëfilltë, pa shëndet mendor!”

Ekipi dhe qëllimi i qendrës

Qendra e re do të ketë një ekip mjekësor profesional, të përbërë nga dy mjekë psikiatër, dy infermierë të shëndetit mendor, një psikolog dhe një punonjës social. Ky ekip do të ofrojë shërbime psikiatrike, psikologjike, infermierore dhe sociale.

Qëllimi kryesor i Qendrës Komunitare është identifikimi i hershëm i problematikave dhe trajtimi i pacientëve përmes shërbimeve bio-psiko-sociale të ofruara sa më afër komunitetit. Kjo qasje synon të parandalojë shtrimet në spital dhe të ofrojë rehabilitim e aftësim psiko-social, duke përfshirë edhe shërbime advokacie dhe psikoedukimi.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme