Kukës – Rritet ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit. Mjekët apelojnë për vetëkontroll dhe ekzaminime

Shëndet | 12 muaj më parë

Numri i grave dhe vajzave që kryejnë kontrolle për kancerin e gjirit në Kukës është në rritje nga viti në vit, falë fushatave ndërgjegjësuese dhe sensibilizimit të shtuar. Mjekja gjinekologe, dr. Nertila Sula, bën të ditur se në këtë qark regjistrohen mesatarisht 2 deri në 3 raste të reja të kancerit të gjirit çdo vit.

“Një pjesë e grave kontrollohen jashtë Kukësit, jo të gjithë vijnë nëpërmjet filtrit tonë. Mendoj personalisht se kemi raste të reja rreth 2-3 çdo vit. Sepse me patologji bëni je ka raste 10-12 por ato janë raste të zgjidhshme”, deklaroi Sula.

Ajo thekson rëndësinë që ka vetëkontrolli i gjirit, duke apeluar që çdo grua dhe vajzë të jetë e kujdesshme dhe e informuar për këtë sëmundje.

“Mesazhi im personal është që le ta fillojnë me vetëkontrollin e gjinjve. Metoda është e thjeshtë dhe në këtë mënyrë mund të kapen rreth 70-80 madje edhe mbi 80% të lezioneve fillestare”, shtoi mjekja gjinekologe.

Sipas saj, ekzaminimi me eko të gjirit rekomandohet të nisë që në moshën 20-vjeçare, ndërsa mamografia mbetet mjeti kryesor diagnostikues për gratë mbi moshën 40 vjeç.

Në kuadër të muajit Tetor, i njohur ndryshe si “Muaji Rozë”, mjekët specialistë theksojnë nevojën për kontrolle të rregullta me qëllim kapjen e kancerit të gjirit në fazat e para dhe nisjen sa më herët të trajtimit.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme