Pandemia e radhës, rezistenca ndaj antibiotikëve. Mjekët të shqetësuar: Infeksionet po bëhen të forta

Shëndet | 12 muaj më parë

Përdorimi pa asnjë kriter mjekësor i antibiotikëve po e çon njerëzimin në epokën e parashpikjes së antibiotikëve.

Raporti më i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë thekson faktin se 2/3 e vdekjeve deri në 2050-ën do të kenë si shkak rezistencën e lartë të infeksioneve ndaj antibiotikëve.

“Shqipëria në fakt ka një frekuencë relativisht të lartë ndaj rezistencës antimikrobike,” tregon Andi Koraqi, shef i laboratorit të mikrobiologjisë, QSUT.

Në aspektin klinik, mjekët infeksionistë konstatojnë se edhe infeksionet e zakonshme komunitare janë bërë rezistente.

“Nëse në infeksionet e zakonshme që ne i kemi quajtur dikur ‘komunitare’, të ndjeshme kundrejt linjave të para të antibiotikëve – amoksicilinës, eritromicinës. Sot shikojmë një rritje të rezistencave edhe për nevoja për të përdorur linja të tjera antibiotikësh… në infeksionet respiratore ose infeksionet në rrugët urinare. Kemi pasur vështirësi në gjetjen dhe kombinimin e terapive për të mbajtur nën frenim këto lloj infeksionesh. Çfarë bën kjo? E ekspozon individin kundrejt komplikacioneve të mundshme,” shpjegon infeksionistja Esmeralda Meta nga QSUT-ja.

Rritje të rezistencës kanë pësuar edhe infeksionet spitalore që kanë rrezik edhe më të lartë.

“Në këtë linjë kemi vënë re rritje të rezistencës kundrejt shtameve, që do të thotë nuk kanë më sensibilitetin kundrejt një game të gjerë antibiotikësh. Është kufizuar kjo gamë e përdorimit të tyre. Atyre që ne u trembemi sot janë rezistencat multiple ose ‘multiple drug resistance’, ose ‘extra drug resistance’, që është rezistente mbi 90 deri 100 për qind të antibakterorëve. Një rezistencë e tillë është baras me vdekjen,” shton Dr. Meta.

E keqja nuk po vjen vetëm nga marrja pa recetë e antibiotikëve, por edhe nga mjekësia veterinare.

“Në mjekësinë veterinare, sidomos në kafshët dhe shpendët, antibiotikët konsiderohen si nxitës ose faktorë të rritjes. Në çdo ushqim ato marrin antibiotikë dhe kjo duhet kontrolluar. Pjesa më e pakontrolluar e të gjithë kësaj është mjekësia veterinare, pra, aplikimi i antibiotikëve te kafshët,” thekson Dr. Koraqi.

Raporti i OBSH-së thekson se tendencat alarmuese të rezistencës ndaj antibiotikëve mund të ndryshohen nëse ndërmarrën veprimet dhe politikat e duhura që lidhen me uljen e përdorimit të tyre si te njerëzit, ashtu edhe te kafshët.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme