Kanceri i qafës së mitrës – Në Kukës, prindërit hezitojnë që vajzat të vaksinohen
Kanceri i qafës së mitrës mbetet një nga sëmundjet më të rrezikshme për shëndetin e grave, por që mund të parandalohet nëpërmjet vaksinimit dhe kontrolleve të rregullta mjekësore. Mjekja gjinekologe Nertila Sula, bën thirrje për më shumë ndërgjegjësim dhe kujdes nga gratë dhe vajzat.
“Për kancerin e qafës së mitrës, besoj jemi akoma pak më larg nga informacioni dhe sensibilizimi i grave. Kemi punë për të bërë për sensibilizimin dhe paraqitjen e grave sepse dhe ai është kontroll i thjeshtë që bëhet nga një gjinekolog”, tha Sula.
Prej disa vitesh, në kalendarin e vaksinimit është përfshirë edhe vaksina HPV për vajzat 13-vjeçare. Kjo vaksinë rekomandohet nga organizatat ndërkombëtare të shëndetësisë si një nga mënyrat më efektive për të parandaluar infektimin me virusin HPV shkaktarin kryesor të kancerit të qafës së mitrës.
Megjithatë, në Kukës vërehet ende hezitim nga ana e prindërve për të vaksinuar vajzat e tyre, shpesh për shkak të mungesës së informacionit të saktë, ndonëse Institucionet shëndetësore lokale kanë organizuar disa takime informuese me komunitetin.
“Ne kemi bërë fushatë sensibilizuese për vaksinën e moshave të reja, vajzave të reja për tu vaksinuar, por kemi hasur edhe rezistencë sepse e marrin me rezerve dhe nuk kanë informacionin e duhur” shprehet gjinekologia Sula.
Mjekët këshillojnë që gratë e moshës 25-65 vjeç të kryejnë kontrolle të rregullta, ndërsa vajzat e reja të përfitojnë nga mundësia për t’u vaksinuar falas në qendrat shëndetësore
Gazetare: Shkurte Elezaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




