Voton kandidati për komunën e Çairit, Osmani: Zgjedhjet, vendimtare për të ardhmen e vendit
Kandidati për komunën e Çairit nga radhët e AKI-t, Bujar Osmani, ka hedhur votën e tij për Zgjedhjet Lokale që po mbahen sot në Maqedoninë e Veriut. Në një prononcim për mediet, pas votimit, ai ftoi qytetarët të votojnë ndërsa tha se zgjedhjet janë vendimtare për të ardhmen e vendit.
“Sot është realisht ditë feste po edhe ditë historike, ka rastis që mbi shpatulla të qytetarëve të Çairit të mbahet barra e historisë, e vendit e popullit. Prandaj me sot me votë këtu në Çair do të përcaktohet edhe kursi evropian i shtetit edhe çështja e marrëveshjes së Ohrit dhe raporteve ndër etnike por edhe ardhmja e Çairit. Sot do të japim mesazhin e duhur. Dua t’i ftojë të gjithë të dalin pasivisht në zgjedhje. Kjo ditë do shkruhet në histori si dita që përcakton të ardhmen e dekadave që vjen”, tha Osmani.
Maqedonia e Veriut mban këtë të diel (19 tetor) zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia. Qytetarët do të votojnë në të 80 komunat e vendit dhe në Qytetin e Shkupit për të zgjedhur kryetarët e rinj dhe anëtarët e këshillave komunalë.
Të shtunën votuan të sëmurët dhe personat që nuk kishin mundësi të dilnin në zgjedhje, personat në shtëpitë e të moshuarve, si dhe ata që ndodhen në paraburgim ose janë duke vuajtur dënimin me burgim.
Zgjedhjet lokale të vitit 2025 janë të katërtat në të cilat zgjidhen njëkohësisht kryetarë komunash dhe këshilla komunalë në të gjitha njësitë administrative.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




