“Viruse më agresive në dimër” – Dr. Tushe apelon për kujdes në trajtimin e fëmijëve
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSh 1, pediatri Dr. Edit Tushe ka bërë thirrje për kujdes të shtuar nga prindërit në trajtimin e fëmijëve, veçanërisht gjatë stinës së dimrit.
“Natyrisht që prindërit para një situate me shenja të caktuara si temperaturë e lartë, kollë etj. Kërkojnë zgjidhje dhe veprimi i parë i drejtohen mjekëve. Sipas shenjave apo situatës epidemiologjike përpiqemi ti këshillojmë prindërit. Duhet thënë se në shumicën dërrmuese të rasteve, ato që prekin fëmijët e vegjël sidomos në stinën e dimrit janë viruset sepse ato janë dhe më agresiv. Nga pikëpamja e kurimit të viruseve ne mundet që ti ndihmojmë fëmijët përmes vaksinave ose me masa të cilat lehtësojnë shenjat e ndryshme”, u shpreh mjeku pediatër.

Sipas tij, në shumicën e rasteve, fëmijët preken nga viruse, të cilat janë më agresive në këtë periudhë të vitit. Ai theksoi se antibiotikët nuk janë zgjidhje për infeksionet virale, dhe përdorimi i tyre pa rekomandim mjekësor mund të shkaktojë efekte të rënda, përfshirë edhe shokun anafilaktik.
“Ne dimë efektet afatshkurtra dhe nuk është problemi i zgjidhjes së caktuar. Gjithmonë e më tepër opinioni shkencor, sidomos ai perëndimor po tërhiqen nga përdorimi i barnave përfshi këtu edhe antibiotiket. Një nga dëmet kryesore që ka antibiotiku mund të jetë i padobishëm për momentin që i është dhënë, një antibiotik i cili mbahet në kushte jo të duhura mund të shkaktoj gjendje të tjera, si shokun anafilaktik”, tha Tushe.
Ai vuri në dukje gjithashtu se këtë vit COVID-19 ka prekur kryesisht fëmijët, megjithatë format kanë qenë më të lehta krahasuar me vitet e mëparshme, edhe pse me një ecuri të zgjatur në disa raste.
“Këtë vit Covid ka prekur kryesisht individë të cilët kanë qenë më pak 18 vjeç, dhe kryesisht fëmijët. Nuk ka qenë aq agresiv si forma si dikur edhe pse covid vetë shërohet, por ka dhënë situata të zgjatura dhe mund të themi që ka pasur shumë raste gjatë shtatorit. Covid nuk shërohet me mjekime, ose përmes vaksinimit”, theksoi mjeku.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




