“Mirëmëngjes Shqipëri” – Dr. Goga: Osteoporoza, sëmundja e heshtur që prek kockat, rëndësia e zbulimit të hershëm

Shëndet | 12 muaj më parë

E ftuar në studion e emisionit “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH1, reumatologia Dr. Laerta Goga foli për osteoporozën, duke e cilësuar si një sëmundje kronike të kockës që zhvillohet në heshtje dhe zbulohet shpesh vetëm pas frakturës së parë.

“Osteoporoza është një sëmundje kronike e kockës e cila shoqërohet me humbje të densitetit kockor dhe me dëmtimin e strukturës së saj, duke e bërë më të prirur ndaj frakturave më minimale. Ekzistojnë mekanizma që e formojnë kockën dhe që e shkatërrojnë atë. Është një sëmundje që quhet e heshtur sepse nuk jep simptoma, nuk ka një klinikë specifike që pacienti të niset dhe të diagnostikohet për osteoporozë. Pacienti paraqitet tek mjeku vetëm në rastin e frakturës së parë”, u shpreh reumatologia Goga.   

Ajo theksoi se ekzistojnë standarde ndërkombëtare për monitorimin e densitetit kockor në grup mosha të caktuara. Sipas saj, gratë në menopauzë dhe individët mbi 65 vjeç janë më të rrezikuar për shkak të rënies së nivelit të estrogjenit dhe procesit të plakjes.

“Ekzistojnë standarde të ndërkombëtarizuara të cilat na bëjnë në që të fillojmë një monitorim në mosha të caktuara. Mosha të rrezikuara janë të gjitha femrat që tashmë janë në menopauze, sepse me uljen e nivelit të estrogjenit fillon dhe ulja e masës së kockës. Janë të gjithë individët mbi 65 vjec, për shkak të vet procesit të plakjes së kockës, janë individët që më parë kanë pasur histori frakturash të pa shpjegueshme. Meshkujt duhet të monitorohen në moshën 70 vjeç e lart ndërsa femrat e kanë fashën e moshës më të ulët për shkak të estrogjenit“, theksoi mjekja.

Në fund, Dr. Goga nënvizoi rëndësinë e vitaminës D në shëndetin e kockave, ndaj suplementet janë shumë të këshilluara, veçanërisht për grup moshat e rrezikuara.

“Është shumë e rëndësishme kapja në kohë sepse duke qenë e heshtur ajo nuk të njofton. Të gjithë grup moshat më të prekura duhet të lajmërohen nga mjeku i familjes duhet ti nënshtrohen kontrolleve të nevojshme.  Kjo lidhet me nivelin e vitaminës D e cila matet shumë lehtë. Në momentin që individët nuk ekspozohen shumë në diell mund të merren suplemente me vitaminë D dhe janë shumë të këshilluara“, tha ajo. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme