Jemi në sezon paragripal! 12 mijë infeksione respiratore në javë, 170 mijë të vaksinuar ndaj gripit

Shëndet | 12 muaj më parë

Luhatja e temperaturave ka rritur numrin e personave të prekur nga infeksionet respiratore në vend.

Në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) janë raportuar mbi 12 mijë të prekur nga këto infeksione në javën e 43-të, që shënon trend në rritje krahasuar me javën paraardhëse.

“Prirja e infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme është në rritje. Numri i rasteve me këto infeksione ka arritur rreth 12 mijë në javë, por ky numër pritet të vijë në rritje nga java në javë. Për sa i përket gripit, akoma nuk janë evidentuar rastet e para,” tregon Dr. Artan Simaku, epidemiolog në ISHP.

Të prekurit nga kovidi janë më pak, por jo të gjithë testohen.

“80 raste në javë janë të konfirmuara. Është një numër relativisht i ulët, por është i qëndrueshëm. Ka shenja relativisht të lehta. Pra, një temperaturë shumë e lehtë apo edhe pa temperaturë fare, po karakteristike është dhimbja e fytit dhe një kollë e lehtë. Megjithatë, për personat të cilët bëjnë pjesë në grupet me risk, kovidi mbetet kërcënim njëlloj si edhe gripi,” thekson Dr. Simaku.

Vaksinimi ndaj gripit ka ecur me ritme të shpejta. Në 5 javë, janë vaksinuar 170 mijë persona.

“Mbi 60 për qind të dozave janë aplikuar tashmë te personeli shëndetësor dhe grupet me risk të popullatës. Të gjithë personat të cilët nuk janë vaksinuar, të paraqiten në qendrën shëndetësore të vendbanimit të tyre për t’u vaksinuar,” shton epidemiologu.

Specialistët e shëndetit publik apelojnë që të vijojë vaksinimi për të gjithë grupet në risk që ende nuk e kanë bërë atë. Koha për aplikim është tani!

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme