Kanceri i stomakut, onkologia Jona Prifti: Stili i të ushqyerit, shumë i rëndësishëm
Mjekja onkologe Jona Prifti ka folur në studion e RTSH 24 mbi përhapjen dhe rreziqet e kancerit të stomakut në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e kapjes së sëmundjes në fazat e para.
“Vetëm në vitin 2022 janë regjistruar rreth 700 raste të reja me kancer stomaku në vendin tonë, një shifër domethënëse për popullsinë që ka Shqipëria”, tha Prifti.
Sipas saj, kjo patologji renditet e treta për nga shpeshtësia dhe e dyta për nga vdekshmëria, duke e bërë ndër sëmundjet më të rrezikshme në vend. Mjekja theksoi se kjo sëmundje lidhet ngushtë me mënyrën e të ushqyerit dhe stilin e jetesës.
“Një dietë e pasur me kripë, ushqime të përpunuara, si dhe konsumi i duhanit dhe alkoolit rrisin ndjeshëm riskun. Pa harruar edhe predispozitën familjare dhe gjenetike, që nuk mund ta ndryshojmë”, u shpreh mjekja.
Simptomat, sipas saj, janë shpesh të paqarta, por një nga faktorët kryesorë të lidhur me zhvillimin e sëmundjes është infeksioni nga bakteri Helicobacter pylori.
“Ky bakter mund të ekzistojë në mukozën e stomakut dhe të shkaktojë lezione parakanceroze, gastrit, ulçer dhe më pas zhvillimin e qelizave kanceroze. Fatmirësisht, është i diagnostikueshëm dhe i trajtueshëm”, theksoi Prifti.
Ajo apeloi për ndërgjegjësim më të madh dhe kontrolle të rregullta, si mënyra më e mirë për të parandaluar pasojat fatale të kësaj sëmundjeje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




