“Fitorja juaj, frymëzimi ynë”, gratë dropullite rrëfejnë luftën me kancerin e gjirit

Shëndet | 11 muaj më parë

Ishte vetëm 33 vjeçe kur u përball me kancerin e gjirit. Sot, në moshën 50-vjeçare, ajo tregon historinë e saj për t’i dhënë forcë çdo gruaje që është në luftë me këtë sëmundje, por edhe për të ndërgjegjësuar mbi rëndësinë e ekzaminimeve të rregullta.

Katerina Koça është sot në jetë falë kujdesit që tregoi vetë, duke kryer vetëkontrollin e gjirit, çka e ndihmoi ta zbulonte sëmundjen në kohë. Brenda një viti arriti ta kapërcente atë, për t’iu rikthyer dalëngadalë përkushtimit ndaj familjes, e sot përjeton ndjesinë më të bukur, atë të qenies gjyshe.

“U futa në luftë kundër sëmundjes. Një vit të tërë duke bërë kimioterapitë. Tani jam mirë dhe u them të gjitha grave të kenë kujdes, të mos luajnë me shëndetin, të kontrollojnë veten, sepse trupi flet vetë“, tha Katerina Koça.

Këtë rrëfim, Katerina e bëri gjatë aktivitetit “Fitorja juaj, frymëzimi ynë”, organizuar në kuadër të Tetorit Rozë nga shoqata kulturore-bamirëse “Estia Dropoli”.

“Ne duhet nga këto gra të marrim forcën e tyre, sepse çdo e keqe që na vjen përballohet me forcë, me besim dhe me dashurinë që merr nga familja dhe nga gjithë komuniteti. Prandaj jemi këtu që këto gra jo vetëm t’i nderojmë, por edhe të marrim prej tyre forcë“, tha Ollga Paguna Papa, kryetare e shoqatës “Estia Dropoli”.

Këtij organizimi iu bashkua edhe ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, duke përshëndetur nismën dhe duke vlerësuar guximin e grave që kanë fituar betejën me kancerin.

Këtij organizimi iu bashkua edhe Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, duke përshëndetur nismën dhe duke vlerësuar guximin e grave që kanë fituar betejën me kancerin.

Gazetare: Yllka Ponde

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme