Tetori rozë në Pogradec, marshim sensibilizues në rrugët e qytetit

Shëndet | 11 muaj më parë

Irena Elmasllari është një nga shumë gratë që kanë arritur të fitojnë betejën me kancerin e gjirit, një sëmundje që çdo vit njeh rritje shqetësuese të rasteve. Ajo tregoi se ishte vetë ajo që vuri re ndryshime në trupin e saj, derisa mori lajmin se vuante nga kanceri i gjirit. Një luftë që zgjati plot pesë vite, të cilat sot i kujton si një betejë që ia vlejti, sepse doli fituese.

“Kam bërë tre operacione për tre vite. Deri tani gëzoj shëndet të plotë. Fillimisht, kur mora përgjigjen nga mjeku se do futesha në operacion, jam ndjerë shumë keq, sepse thoja me vete: a do mundem të jem pranë fëmijëve të mi? I lutem grave që të tregojnë kujdes për veten e tyre. Sapo të vërejnë që diçka nuk shkon në trupin e tyre, të shkojnë menjëherë te mjeku,” tha qytetarja Irena Elmasllari.

Vitet e fundit, shifrat e grave të diagnostikuara me kancer në Pogradec janë rritur. Sipas autoriteteve, nga ana tjetër, është vënë re edhe një rritje e konsiderueshme e interesit të grave për të kryer mamografinë, një hap kyç në zbulimin e hershëm të sëmundjes.

 “Nga viti në vit kemi një rritje të ndjeshme të grave që duan të kryejnë mamografinë, por ajo që doja të theksoja, dhe që është për t’u ardhur keq, është se në pesëvjeçarin e fundit kemi një rritje të numrit të referimeve. Kjo tregon që te gratë problemi është prezent,” u shpreh Elona Katiraj, drejtoreshë e NJVKSH Pogradec.

Për të rritur ndërgjegjësimin, nxënës të shkollave, vajza dhe gra marshuan në rrugët e Pogradecit, duke shpërndarë mesazhe për vetëkontrollin dhe vizitat mjekësore.

Sa më herët të diagnostikohet kanceri i gjirit, aq më të mëdha janë shanset për shërim.

Gazetare: Kostanca Koçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme