“Mirëmëngjes Shqipëri” – Kardiologia Diamanti: Kolesteroli i keq është i heshtur, por ka ndikim të madh në shëndet

Shëndet | 11 muaj më parë

Kolesteroli i lartë, LDL (kolesteroli i keq) është një nga faktorët kryesorë të rrezikut për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Kardiologia Jorida Diamanti, e ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH1, theksoi rëndësinë e mbajtjes nën kontroll të niveleve të kolesterolit në gjak për të parandaluar probleme të mëtejshme shëndetësore.

Ajo shpjegoi se kolesteroli është një substancë thelbësore për trupin, pasi është pjesë e membranës së qelizave dhe ka funksione të tjera të rëndësishme.

Megjithatë, kur niveli i kolesterolit është tepër i lartë, ai depozitohet në muret e enëve të gjakut, duke formuar pllaka arteroskleroze që mund të çojnë në bllokimin e enëve të gjakut dhe të shkaktojnë probleme të rënda shëndetësore, duke përfshirë infarkte dhe goditje në tru.

Kardiologia Diamanti theksoi se është shumë e rëndësishme që të bëhen teste të rregullta për kolesterolin dhe të përcaktohet niveli i tij në gjak.

“Kolesteroli nuk është sëmundje në vetvete por është një substancë që është e domosdoshme për trupin, kur është në masën e duhur sepse pjesë e membranës së qelizave tona.  Por kur është më tepër se sa duhet ai  depozitohet në enët e gjakut dhe formohen pllakat arteroskleroze. Këto pllaka fillojnë herët që  në moshë të re por depozitimiështë shumë i ngadaltë dhe ne nuk e vëmë e re. E para duhet filluar të bëhen teste për kolesterolin për të parë nivelin e tij. Për uljen e vlerave të tij ndryshimi vjen me zakonet e të ushqyerit, një  dietë ushqimore, e varfër me yndyra shtazore, mos përdorimi i mishit të kuq, ushqimet e përpunuara. Rekomandohet të bëni aktivitet fizik të kenë një stil jete të shëndetshëm”, tha kardiologia.

Ajo theksoi se trajtimi i kolesterolit të lartë kërkon kurim të personalizuar, duke u bazuar në faktorët e rrezikut dhe gjendjen shëndetësore të pacientit. Ulja e niveleve të kolesterolit të keq është një hap i rëndësishëm për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe për ruajtjen e shëndetit të përgjithshëm.

“Në varësi të vlerave të kolesterolit, në varësi të  moshës, simptomave shoqëruese që mund të ketë pacienti apo sëmundjeve shoqëruese, ne e stadifikojmë pacientin dhe përcaktojmë riskun e sëmundjeve kardiovaskulare. Në varësi të këtij risku, shihet se sa duhet ulur kolesteroli i keq. Kolesteroli i mirë është ai që  merr kolesterolin nga gjaku dhe e çon në mëlçi, kurse i  keq është ai që është përgjegjës për prodhimin e pllakave arteroskleroze”, tha ajo

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme