Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale-Mbyllet procesi i votimit në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia e Veriut | 11 muaj më parë

Qendrat e votimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut u mbyllën në orën 19:00, duke shënuar fundin e procesit të votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve të teta lokale.

Këtë herë, qytetarët në Maqedoninë e Veriut u thirrën për të zgjedhur kryetarët e rinj të 32 komunave, si dhe kryetarin e kryeqytetit, Shkupit, së bashku me tre qendra votimi në Shuto Orizare për zgjedhjen e këshilltarëve komunalë.

Sipas njoftimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) mbi 1 milion votues kishin të drejtë vote në këtë raund, ku gara ishte veçanërisht e ngushtë në komunat urbane si Shkupi, Tetova dhe Struga. Ndërsa procesi zgjedhor u zhvillua në një atmosferë të qetë dhe pa incidente

Pjesëmarrja në votime u vlerësua rreth 46-50 për qind, në linjë me raundin e parë të mbajtur më 19 tetor.

Pas mbylljes së vendvotimeve, komisionerët në të gjithë vendin kanë nisur procedurat e numërimit të votave.

Rezultatet e para preliminare pritet të publikohen pas mesnate, ndërsa ato përfundimtare mund të dalin brenda 24-48 orëve të ardhshme, varësisht nga vëllimi i fletëvotimeve.

KSHZ ka shpjeguar se numërimi po kryhet nën mbikëqyrje të plotë dhe transparencë të lartë, për të garantuar integritetin e procesit.

Raundi i dytë u zhvillua në 32 komuna ku asnjë kandidat nuk arriti shumicën absolute në raundin e parë, si dhe në qytetin e Shkupit.

Lista e plotë e tyre përfshin: Aerodrom, Bogovinë, Bërvenicë, Valandovë, Vinicë, Dibër, Debarcë, Demir Kapija, Karposh, Kërçovë, Konçe, Koçan, Krushevë, Kumanovë, Lozovë, Makedonska Kamenicë, Makedonski Brod, Mogillë, Negotinë, Probishtip, Rankovcë, Rosoman, Strugë, Studeniçan, Tetovë, Qendër, Çeshinovë-Obleshevë, Çuçer Sandevë, Shuto Orizare, Dollnen, Dojran, Zrnovcë.

Në Shuto Orizare, votimi u kufizua vetëm në zgjedhjen e këshilltarëve, si pjesë e procesit të plotësimit të mandateve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme