Interes për vaksinën kundër gripit, në Shkodër, 8500 doza të aplikuara nga 14 mijë të planifikuara

Shëndet | 11 muaj më parë

Këtë vit, në Shkodër, fushata e vaksinimit kundër gripit sezonal po shoqërohet me një interes të lartë nga qytetarët. Brenda gjashtë javëve nga nisja e procesit, janë aplikuar mbi 8500 doza vaksine, nga një kontingjent prej 14 000 dozash të destinuara për bashkitë Shkodër dhe Vau i Dejës.

Sipas drejtuesve të sektorit të vaksinimit në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, trendi i vaksinimit deri tani është më i lartë se një vit më parë, çka lidhet me qarkullimin e shtuar të virozave dhe ndikimin e tyre tek grupet e rrezikuara.

“Janë aplikuar rreth 61% të dozave nga 14 mijë doza që kemi marrë. Interesi është më i madh duke parë situatën që kemi pasur vjet me gripin. Ka një ritëm të mirë të vaksinimit”, u shpreh Arben Xhabija, Kryevaksinator , “Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor” Shkodër.

Krahas personelit shëndetësor , 90% e të cilit është vaksinuar tashmë , interesimi më i madh  për marrjen e vaksinës, vjen nga moshat mbi 60 vjeç dhe pacientët kronikë, që konsiderohen më të ndjeshëm ndaj pasojave të gripit. Për të sëmurët kronikë që nuk mund të paraqiten në qendrat shëndetësore, vaksinimi po kryhet edhe në banesë nga ekipet mjekësore.

“Personat të cilët nuk kanë mundësi të shkojnë në qendër shëndetësore stafi ka krijuar mundësi që ti aplikojnë vaksinën në banesë”, tha ai.

Vitin e kaluar, mbi 10 mijë qytetarë në Shkodër u vaksinuan kundër gripit sezonal. Risi e këtij viti është mundësia e rezervimit online, përmes portalit e-Albania, ku çdo qytetar mund të zgjedhë datën dhe orarin e vaksinimit.

Gazetar: A. Hoti   

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme