3 në 10 diabetikë kanë vështirësi në vendin e punës – Mjekët mesazh deputetëve për riskun e lartë të pacientëve në punë

Shëndet | 11 muaj më parë

Salla e parlamentit konsiderohet nga mjekët endokrinolog si një vend pune me risk të lartë për të përkeqësuar parametrat e diabetit nëse vuan prej tij për shkak të niveleve të larta të stresit që prodhon debati politik. Në muajin e diabetit mjekët zgjodhën deputetët për të përcjellë mesazhin se vendi i punës po i kushtëzon pacientët me diabet të ndihen jo vetëm të frustruar po edhe stigmatizuar dhe aspak të mbështetur.

“7 në 10 persona  me diabet janë në moshë aktive për punë. Pra është një target grup shumë I madh personash edhe në Shqipëri të cilët jetojnë me diabetin edhe në vendin e punës me të gjitha vështirësitë dhe kondicionimet  që sjell kjo sëmundje  në vendin e punës dhe nuk duhet harruar stigma që shpesh u bëhet personave me diabet ku shpesh neve na thuhet nga vetë pacientët :- të lutëm mos më jep raport, të lutem mos më jepni recetë sepse nuk dua që në vendin e punës ta dinë se jam me diabet”, u shpreh Florian Toti, Endokrinolog QSUT, Drejtues i Shoqatës së Diabetit.

Mjeku Toti thotë se pacientët me diabet nuk mirëkuptohen nga punëdhënësit apo kolegët

“3 në 10 persona me diabet kanë vështirësi në vendin e punës të lidhur me diabetin duke filluar që nga mosrespektimi i të drejtave bazë, që tek pjesa e moskuptimit të orareve që ata duhet të ndjekin  apo edhe për mjekimin që duhet të bëjnë në vendin e punës. Shpesh kjo e fundit keqkuptohet. Ka pacientë që më thonë: – njerëzit kujtojnë se unë jam duke injektuar drogë. Jo! Insulina është jetë shpëtuese dhe nuk është një tekë .Është një fatkeqësi që kërkon mirëkuptimin e të gjithëve. Një person me diabet duhet të ketë informuar të paktën 1-2 persona të tjerë në vendin e punës për diagnozën ë tij pasi në rrethana të veçanta të vështira  mund të kërkohet asistenca e tyre sidomos kur kemi hipoglicemi”, tha ai.

Stresi, nervozizmi apo ngacmimet e jashtme ngrenë nivelin e kortizolit dhe disa hormoneve të tjera që rrisin nivelin e sheqerit në gjak dhe tek persona me diabet që kanë mungesë apo pamjaftueshmëri të prodhimit të insulinës , insulina nuk është në gjendje ta përballojë ose konkurrojë këtë rritje të glikemisë duke sjell përkeqësim të shëndetit.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme