Buxheti i shëndetësisë 2026 – Persona me “AK” kërkesa deputetëve për shërbime e pagesa

Shëndet | 11 muaj më parë

Pagesa më të larta mujore, shërbime rehabilituese, mjete ndihmëse për lëvizje si proteza dhe karroca me rrota, rimbursim medikamentesh etj., kanë qenë këto disa nga kërkesat e përfaqësuesve të shoqatave të personave me aftësi të kufizuar të artikuluara sot para deputetëve të komisionit parlamentar të shëndetësisë.

Shoqatat e personave me aftësi të kufizuar kanë ngritur këtë të enjte në komisionin parlamentar të shëndetësisë problemet në lidhje me buxhetin për shërbimet shëndetësore dhe barnat.

Pagesat tepër të ulëta mujore, mungesa protezave dhe karrocave me rrota, ngrija e shërbimeve rehabilituese dhe rimbursimi i disa mjeteve jetike për grup-sëmundje të caktuara u artikuluan si më emergjentët nga përfaqësuesit e thirrur.

 “Bëhet fjalë për nëna të cilat luajnë rolin e ndihmësit personal për fëmijët me aftësi të kufizuara. Ne kemi kërkuar gjithmonë që shteti të marri përsipër pagesën e sigurimeve shoqërore”, u shpreh Eduart Shehu, Shoqata “MEDPAK”.

“Kemi kërkuar rimbursimin e protezave, ekziston një ofiçinë ortopedike pranë spitalit ushtarak, më vjen turp ta shikoj atë ofiçinë. Një protezë në privat kushton 700 mijë lek të vjetra si mund të bëj dy proteza në vit”, u shpreh Abdulla Omuri, Shoqata “Invalidët e Punës”.

“Të rishikohet pagesa e qytetarëve të verbër dhe të rishikohet financimi i shërbimeve në qendrën kombëtarë të rehabilitimit të të verbërve” tha Jonid Ferhati, Shoqata e të verbërve.

“Do ta thoja me dhimbje por më gjeni një kujdestar që të vjen dhe të shërben 24 orë me 130 mijë lek të vjetër në muaj”, tha Bajram Tirana, Shoqata Para dhe Tetraplegjikëve.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë orientuan grupet e interesit me disa nga përpjekjet teknike që janë bërë për zgjidhjen e tyre ndërsa anëtarët e komisionit thanë se ditën e hënë pritet që këto kërkesa e pyetje të marrin përgjigje nga ministrja e shëndetësisë.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme