1100 trauma më shumë në vitin 2024, Brataj: 53% e tyre në moshat e reja. Për çdo traumë, 1-2 persona mbeten invalidë
Traumat renditen një ndër tre shkaqet e para të vdekjeve në të gjithë botën. Vit pas viti numri i tyre fatkeqësisht vjen në rritje. Sipas të dhënave të mbledhura dhe të referuara nga Shoqata e Mjekëve të Urgjencës dhe Katastrofave, viti 2024 u mbyll me 1100 trauma më shumë se viti 2023, ku 60% e tyre janë përplasjet makinë me makinë.
“Në konferencën vjetore të traumave mjekët e urgjencave dhe katastrofave referuan për numrat që janë gjithnjë në rritje . Gjatë vitit 2023 u shënuan 18.600 trauma ndërsa në 2024 – 19. 700 trauma. Pra kemi gjithmonë rritje të mëdha. Në këto trauma predominojnë aksidentet me makinë, motorçikletat, biçikleta, monopate, armë zjarri dhe armë të ftohta, rëniet nga lartësia si dhe aksidentet në punë që po kalojnë në mënyrë të heshtur” deklaroi Skënder Brataj, Shef i Urgjencës Kombëtare.
Shumë individë mbeten të invalidizuar dhe me pasoja të rënda sociale për vendin dhe familjen.
“Në çdo humbje jete ka 1-2 invalidë të përjetshëm. 53% e këtyre traumave e pësojnë mosha 15-44 vjeç që do të thotë se individët e këtyre moshave duhet të ti mbash për 50-50 vjet të tjera qoftë me jetën, me asistentë, shoqërues që do të paguhen”, tha ai.
Analiza e rrethanave të ngjarjeve që kanë prodhuar trauma tregojnë se të gjitha kanë në qëndër mosrespektimin e elementëve të sigurisë
“Pjesa me e madhe e njerëzve që aksidentohen nuk vendosin rripin e sigurimit kur janë në qytet sepse mendojnë se aksidenti ndodh gjithmonë në autostradë. Nisjet dhe frenimet në qytet janë shkak për trauma. Një tjetër situatë është mbajtja e fëmijës pa rrip sigurimi në sediljen e parë. Fëmijës i peshon më shumë koka se trupi dhe një frenim e çon kokën e tij në xham duke i shkaktuar traumë të cervikales e për pasojë e lë atë të dëmtuar si tetraplegjik, pra të paralizuar“, apeloi Brataj.
Traumat nga mjete si motoçikleta apo biçikleta përveç mosrespektimit të rregullave në qarkullim, vijnë edhe për shkak të mosvendosjes se kaskos.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




