“Iliriana” pjesë e Panairit të Librit, autori Reshat Sahitaj-Romani, strehim i brendshëm shpirtëror!

Kulturë | 11 muaj më parë

Romani “Iliriana” i autorit Reshat Sahitaj, i botuar në Francë, vjen te lexuesi kryeqytetas në panairin e librit.

Ky roman rrëfen jo vetëm një histori dashurie, por një univers të tërë ndjenjash, përplasjesh dhe ëndrrash që kapërcejnë kufijtë e zakonshëm të një romani tradicional.

Teksa e lexon, ndjen se nuk je vetëm përballë një teksti letrar, por në një udhëtim të thellë estetik dhe filozofik, ku historia e dy të rinjve të dashuruar shndërrohet në një metaforë të madhe të jetës ballkanike, të përjetësisë së dashurisë dhe të luftës së njeriut për të dalë mbi kufizimet që i imponon realiteti shoqëror e historik.

Romani është një pasqyrë e shpirtit ballkanik, ku psikologjia e individit përplaset me realitetin kolektiv, ku dashuria e pastër përballet me paragjykimin, ku fantazia shndërrohet në një mburojë ndaj fatit.

Në aspektin filozofik, Iliriana është një meditim mbi dashurinë dhe lirinë.

Dashuria në këtë roman nuk është vetëm ndjenjë intime, por një akt rebelimi ndaj kufijve, paragjykimeve dhe barrierave që i vë shoqëria.

Një nga cilësitë e rëndësishme të Ilirianë-s qëndron te gjuha, Sahitaj vjen me gjuhë të thjeshtë ku autori zgjedh shkurtësinë, fragmentin dhe heshtjen, ku përmes Ilirianës, autori vë në skenë individin përballë arbitraritetit politik dhe makinës ideologjike.

Iliriana rikthen teksturën konkrete të një epoke, trenat, burgjet, dyshimet e saj.

Iliriana është një pasqyrë e identitetit shqiptar, një dëshmi se edhe në mes të dhimbjeve dhe pengesave, shpirti i njeriut mbetet i aftë të ëndërrojë, të dashurojë dhe të shpresojë.

Iliriana është një roman i ndërtuar mbi bukurinë e gjuhës, fuqinë e mendimit dhe universin e pafund të zemrës njerëzore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme