Gripi dhe virozat e stinës në Kukës, mjekët rekomandojnë vaksinën dhe kujdes të shtuar
Ditët e fundit, Urgjenca e Spitalit Rajonal të Kukësit po trajton çdo ditë rreth 50-60 pacientë që paraqiten për grip dhe viroza të stinës. Shumica e tyre shfaqin simptoma si temperaturë, lodhje dhe shqetësime të tjera fizike, të cilat marrin kujdes të veçantë nga stafi mjekësor.
“Kemi rreth 50-60 vizita tek të rriturit ndërsa tek fëmijët më pak. Gripi vazhdon po me të njëjtat shifra”, u shpreh mjeku Bajram Nela.
Stafi i bluzave të bardha këshillojnë qytetarët që të marrin vaksinën kundër gripit, si mënyrë kryesore për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes dhe komplikacionet e mundshme.
“Piku i gripit arrin janar-shkurt prandaj kemi kohë për të bërë vaksinën”, tha ai.
Mjeku Bajram Nela bëri të ditur se, përveç rasteve tipike të gripit, për shkak të mjegullës nuk kanë munguar pacientët me probleme në rrugët respiratore.
“Kemi rreth një javë që ka filluar të shfaqet mjegulla në qytetin e Kukësit dhe si pasojë janë rritur dhe problemet me astmën, bronkite”, theksoi mjeku.
Ndërkohë, në Urgjencën Pediatrike trajtohen brenda 24 orëve rreth 50 fëmijë, duke treguar se gripi dhe virozat prekin më së shumti grup moshat 1-5 vjeç, çka bën të domosdoshëm kujdesin e veçantë për të vegjlit gjatë këtij sezoni.
Gazetare: Shkurte Elezaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




