Studimi: Aktiviteti fizik në moshë të mesme ul ndjeshëm rrezikun e demencës

Një studim i ri i publikuar në revistën shkencore mjekësore “JAMA Network Open” ka nxjerrë në pah se moshat e mesme dhe të vona janë periudhat më kritike kur aktiviteti fizik ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e trurit. Sipas autorëve, personat që ushtrohen rregullisht në moshën 45 deri në 64 vjeç kanë një rrezik 41% më të ulët për të zhvilluar demencë, ndërsa ata që mbeten aktivë edhe pas moshës 65 vjeç e deri në 88 vjeç, e reduktojnë këtë rrezik me 45%.
Edhe individët që mbartin gjenin APOE ε4, një nga faktorët më të fortë të rrezikut për Alzheimer, përfitojnë dukshëm nga aktiviteti fizik, duke pasur deri në 66% më pak gjasa të preken nga demenca. Ndërkohë, aktiviteti në moshë të re, pra nga 26 deri në 44 vjeç, nuk tregoi ndikim të dukshëm në këtë drejtim.
Studime të tjera e mbështesin këtë përfundim. Ecja me vetëm 3,800 hapa në ditë është lidhur me një ulje prej 25% të rrezikut për demencë, ndërsa përdorimi i biçikletës në vend të makinës apo transportit publik ka treguar një reduktim prej 19% të rrezikut për demencë dhe 22% për Alzheimer. Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që të rriturit të kryejnë 150 deri në 300 minuta aktivitet aerobik të moderuar ose 75 deri në 150 minuta aktivitet të fuqishëm në javë, si dhe stërvitje force disa herë.
Ekspertët shpjegojnë se këto periudha janë vendimtare sepse pikërisht në moshën e mesme dhe të vonë shfaqen faktorët kryesorë vaskularë si tensioni i lartë, diabeti apo kolesteroli. Ushtrimet ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të enëve të gjakut, përmirësojnë strukturën e trurit, ulin inflamacionin dhe ngadalësojnë grumbullimin e proteinës beta-amiloid, një shenjë dalluese e Alzheimerit.
Specialistët këshillojnë që aktiviteti fizik të nisë gradualisht, për të shmangur dëmtimet ortopedike, dhe të kthehet në një zakon të përditshëm./ CNN
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




