Gurët në veshka dhe si të shpëtojmë prej tyre, Nefrologu Jakaj: Ushqimet që duhen shmangur
Gurët në veshka janë kristale të forta që formohen kur përqendrimi i kripërave dhe mineraleve në urinë bëhet i lartë. Për shumë pacientë gurët në veshka janë një nga arsyet më të shpeshta të dhimbjes së fortë në mes, por me diagnostikim të saktë dhe trajtimin e duhur, shumica e rasteve menaxhohen shpejt, shpesh pa ndërhyrje të mëdha.
Në emisionin “Mirëmëngjes në Shqipëri” në RTSH, nefrologu Besnik Jakaj ka shpjeguar shkaqet kryesore të formimit të gurëve në veshka dhe mënyrat më efektive për t’i parandaluar ato.
Sipas mjekut, krijimi i gurëve vjen kryesisht nga stili i jetesës, mënyra e ushqyerjes dhe predispozita gjenetike.
“Krijimi i gurëve në veshka vjen nga stili i jetesës, mënyra e të ushqyerjes por edhe predispozita gjenetike që ka raste ku veshka prodhon vetë grurë apo kristale. Gurët formohen për shkak të pranisë së kalciumit, oksalateve dhe acidit urik që duke u kalcifikuar krijojnë kristale dhe gurë. Për t’u ruajtur nga formimi i gurëve është hidratimi sa më i mirë, aktiviteti fizik dhe mënyra e të ushqyerit”, tha ai.
Mjeku theksoi se hidratimi i mirë, aktiviteti fizik dhe ushqyerja e rregullt janë faktorët kryesorë për të shmangur formimin e tyre. Mjeku Jakaj shpjegon se ekzistojnë analiza specifike që tregojnë predispozitën e një personi për krijimin e gurëve, çka lejon mjekun të përcaktojë më qartë ndalimet ushqimore.
“Ka analiza që shikojnë nëse personi ka predispozitë për të formuar gurë, gjë të çon pastaj në rregullimin e ushqimit. Personat duhet të shmangin kriprat si djathi dhe turshitë, shmangia e mishit të kuq, edhe spinaqi nuk është i këshillueshëm në rastin e personave që kanë kristale të shtuara. Në rastet e personave që vuajnë nga këto nuk këshillohen farat e zeza, frutat e thata, çaji i zi, ushqimet me sasi të madhe kripe. Uji është hidratuesi më mirë”, tha Jakaj.
Simptomat që paralajmërojnë gurët në veshka përfshijnë dhimbje të forta të veshkave, dhimbje mesi dhe barku, dhimbje gjatë rrugës urinare, prezencë gjaku në urinë etj.
Mjeku shtoi se jeta sedentare dhe mungesa e aktivitetit fizik rrisin rrezikun jo vetëm për sëmundje të ndryshme, por edhe për formimin e gurëve në veshka.
“Jeta sedentare, mungesa e sportit dhe stili i të ushqyerit ndikon në shumë sëmundje të organizmit, si dhe të krijimit të gurëve në veshka. Mënyra e të ushqyerit dhe stili i jetesës ndikojnë shumë në shëndetin tonë”, tha Jakaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




