Ali Ahmeti paralajmëron protestë në Shkup për ish-krerët e UÇK-së, qeveria kundërshton nismën

Maqedonia e Veriut | 10 muaj më parë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka njoftuar se më 13 dhjetor në Shkup do të mbahet një protestë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen aktualisht në Hagë. Tubimi do të fillojë në orën 13:00 në sheshin “Skënderbeu”.

Ahmeti ka ftuar shqiptarët të bashkohen në marshim, duke theksuar se qëllimi është të kërkohet drejtësi dhe të shprehet solidariteti me ish-krerët e UÇK-së, të cilët sipas tij, po mbahen padrejtësisht në paraburgim që prej nëntorit të 2020-ës, pasi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ahmeti ka marrë pjesë edhe në protesta të ngjashme më parë në Prishtinë dhe Tiranë.

“Më 13 dhjetor, me fillim nga ora 13:00, do të protestojmë edhe në Shkup për të kërkuar drejtësi dhe për të treguar përkrahje ndaj çlirimtarëve që padrejtësisht po mbahen në burgjet e Hagës. Protesta është planifikuar të mbahet në sheshin ‘Skënderbeu’”, deklaroi Ahmeti.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka reaguar menjëherë pas thirrjes së Ahmetit për protestë. Kryeministri Hristijan Mickoski e ka cilësuar protestën si një “lëvizje të gabuar”, duke paralajmëruar se ajo mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet politike dhe koalicionare. Mickoski ka theksuar se nuk e mbështet marshimin dhe nuk pritet përkrahje nga partia e tij, VLEN.

“Kjo është një lëvizje e gabuar e Ahmetit dhe mendoj se duhet ta rimendojë këtë vendim. Me këtë protestë ata po mundohen të mobilizohen para Kongresit të partisë. Vetëm po e vërtetojnë se në të ardhmen do ta kenë shumë të vështirë të gjejnë partner koalicioni. Unë nuk e mbështes këtë ide dhe as nuk pajtohem me këtë marsh. Jam i bindur se as VLEN nuk do ta mbështesë”, u shpreh Mickoski.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme