Ministrja Sala në Qendrën Kombëtare të Urgjencës: Zemra e sistemit shëndetësor. Brataj: Synojmë përfshirjen e Universitetit

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, zhvilloi një vizitë në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, ku u njoh nga afër me punën e ekipeve që operojnë 24 orë në shërbim të qytetarëve. Ajo vlerësoi rolin jetik që kjo qendër ka në sistemin shëndetësor.
“Urgjenca është zemra e sistemit shëndetësor. Sa më mirë të menaxhohet sistemi, aq më shumë jetë shpëtohen,” deklaroi ministrja Sala gjatë vizitës.
Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, prezantoi funksionimin e njësisë së koordinimit, të cilën e cilësoi si “trurin” e institucionit. Ai shpjegoi se thirrjet e para i marrin infermierët, ndërsa tre mjekë të specializuar japin vlerësimin e parë profesional përmes telefonit.
Brataj theksoi se Qendra ka trajnuar mbi 10 mijë persona nga e gjithë Shqipëria dhe njoftoi se një qendër e ngjashme po përgatitet të hapet edhe në qytetin e Vlorës.
“Njësia e koordinimit, që është edhe truri i këtij institucioni, thirrjen e parë e marrin infermieret dhe kemi edhe tre mjekë që japin konsonancën e parë në telefon. Këtu mbi 10 mijë veta janë trajnuar nga e gjithë Shqipëria dhe një qendër si kjo po e përgatisim edhe në Vlorë”, tha Brataj.
Ai u ndal gjithashtu te rëndësia e bashkëpunimit akademik.
“Synojmë përfshirjen e Universitetit, pasi këtu punojnë instruktorë të fushave të ndryshme që zhvillojnë kurse ndërkombëtare të certifikuara nga Amerika dhe Evropa.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




