10 shërbime të automatizuara dhe pagesë direkt nga e-Albania, Kadastra digjitalizohet tërësisht në fund të 2026-ës
Agjencia Shtetërore e Kadastrës pritet që në fund të vitit të ardhshëm të shndërrohet në një institucion tërësisht digjital. Drejtoresha e përgjithshme Lorena Goxhobelli, në një tryezë partneriteti të organizuar për të diskutuar arritjet, risitë dhe sfidat e ASHK-së në këtë fazë transformimi, tha se puna për digjitalizimin po ecën me ritme shumë të mira dhe se ky proces jo vetëm lehtëson punën e përditshme të kësaj agjencie, por mbi të gjitha rrit ndjeshëm cilësinë dhe sigurinë e informacionit kadastral për çdo qytetar.
“Sot jemi më pranë se kurrë digjitalizimit të hartave kadastrale. Së bashku me UNOPS, kemi nisur punën dhe një proces që kërkon kohë, për digjitalizimin e plot të 33 mijë planshetash. Fundi i 2026 do të na gjejë me një Kadastër tërësisht digjitale”, tha Goxhobelli.
Kadastra e ka çuar së fundi në 10 numrin e shërbimeve automatike përmes teknologjisë blockchain, si dhe ka finalizuar kryerjen e pagesës direkt nëpërmjet portalit e-Albania me kartë bankare, pa qenë nevoja të paraqiteni në postë apo në sportelet e bankave.
“Digjitalizimi i të dhënave dhe përdorimi i teknologjisë blockchain na ka dhënë mundësinë që të automatizojmë një pjesë të shërbimeve tona. Në fillim të 2025, kishim 5 shërbime automatike dhe sot që flasim kemi 10 shërbime të tilla që iu ofrohen qytetarëve. Aktualisht 10 deri në 15% e shërbimeve tona ditore gjenerohen automatikisht nga sistemi. Dhe një lajm i mirë në fakt i ditëve të fundit është finalizimi i mundësisë së kryerjes së pagesës nëpërmjet e-Albania me kartë bankare. Një funksionalitet për të cilin kemi punuar intensivisht me AKSHI-n këto muajit e fundit dhe më vjen mirë që më në fund e finalizuam sepse tashmë qytetarëve nuk do t’ju duhet më që të qëndrojnë më në sportelet e bankave dhe të postës në këtë rast dhe jo më të ASHK-së dhe mund ta bëjnë pagesën aty ku bëjnë aplikimin vetëm me një klik”, u shpreh drejtoresha e Përgjithshme e Kadastrës, Lorena Goxhobelli.
Goxhobelli tha se transformimi digjital nuk do të thotë distancim nga qytetari, por synon thjeshtim, aksesueshmëri dhe kohë më të shkurtër trajtimi për aplikimet.
“Me përfundimin e digjitalizimin të të dhënave kadastrale mendojmë që krijohen të gjitha parakushtet për shfrytëzimin e benefiteve që sjell përdorimi i Inteligjencës Artificiale, që besojmë fort do t’u japë një hov të ri mënyrës se si iu shërbejmë me cilësi dhe në kohë qytetarëve”, tha Goxhobelli.
Ndërsa fokusi strategjik i këtij viti ka qenë digjitalizimi dhe regjistrimi fillestar, dy procese themelore që jo vetëm po përmirësojnë shërbimin ndaj qytetarëve, por po vendosin edhe bazat e forta për garantimin e sigurisë dhe qartësisë së të drejtave pronësore, një tregues tjetër domethënës për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës është ulja e kohës së trajtimit të aplikimeve të qytetarëve. Aktualisht, 79% e aplikimeve trajtohen brenda afateve ligjore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




