Reshjet e shiut në Kosovë sjellin vërshime lumenjsh. Durmishi: Jemi në gjendje gatishmërie

Kosovë | 9 muaj më parë

Reshjet e pandërprera të shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime lokale në disa zona të vendit, konkretisht në pjesën perëndimore dhe atë qendrore. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë me dije se në Gjakovë, Junik, Deçan, Malishevë, Rahovec dhe Klinë si pasojë e reshjeve të dendura, disa prej lumenjve kanë dalë nga shtretërit.

“Si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut gjatë ditëve të fundit, në disa zona të vendit, konkretisht në pjesën perëndimore (Gjakovë, Junik, Deçan, Malishevë, Rahovec, Klinë, etj.), si dhe në pjesën qendrore, janë shkaktuar vërshime lokale. Si rezultat, disa lumenj dhe përrenj kanë dalë nga shtretërit e tyre. Këto reshje, me intervale dhe intensitet të ndryshëm, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, duke mundësuar paraqitjen e vërshimeve lokale, probleme në komunikacion, në sistemet e kanalizimit, si dhe vështirësi në trafik. Aktualisht, lumenjtë kryesorë të vendit, veçanërisht ata në pjesën qendrore, lindore dhe jugore (Ibri, Sitnica, Lepenci, Morava e Binçës, etj.), paraqesin ngritje të lehta të nivelit të ujit“, njofton IHMK.

Ministria e Infrastrukturës reagoi mbi situatën e reshjeve në Kosovë, duke bërë me dije se janë në gjendje gatishmërie për menaxhimin e situatës.

Ministri në detyrë, Hysen Durmishi, theksoi se ekipet e mirëmbajtjes së rrugëve ndodhen në terren dhe po punojnë në të gjitha akset për përmirësimin e qarkullimit të automjeteve.

“Që nga mbrëmë jemi në gjendje gatishmërie për të menaxhuar sa më mirë reshjet e shiut, të cilat kanë ndikuar edhe në disa nga rrugët tona. Ekipet e mirëmbajtjes janë në terren dhe po ndërhyjmë kudo që është e mundur për të përmirësuar kushtet e qarkullimit”, ka thënë Durmishi.

Ai ka kërkuar edhe bashkëpunim nga qytetarët duke kërkuar që t’i përshtaten kushteve të rrugës dhe të ngasin me kujdes.

“Ju lusim të vozitni me kujdes të shtuar dhe t’u përshtateni kushteve të rrugës”, tha Durmishi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme