Takimi i parë me kreun e ri të SPAK, Gonzato: Rezultatet në luftën ndaj korrupsionit, kyçe për integrimin

Aktualitet | 9 muaj më parë

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, zhvilloi këtë të martë takimin e parë zyrtar me drejtuesin e ri të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodjan Braho.

Takimi, i cili shënon vendosjen e kontakteve të para mes kreut të diplomacisë evropiane në Tiranë dhe drejtuesit të ri të institucionit më të rëndësishëm të akuzës në vend, u fokusua tek ecuria e deritanishme dhe sfidat e së ardhmes.

Përmes një njoftimi zyrtar të shpërndarë në rrjetet sociale nga Zyra e BE-së në Tiranë, bëhet e ditur se ambasadori Gonzato e ka përgëzuar Brahon për arritjet që SPAK ka shënuar deri më tani.

Diplomati evropian ka theksuar se vazhdimësia e rezultateve të prekshme në goditjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet një element i panegociueshëm për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Gjatë bisedës, Gonzato vuri theksin te rëndësia e cilësisë së hetimeve.

“Takimi i parë me Kryetarin e ri të SPAK-ut, Klodjan Braho. E përgëzova për arritjet e SPAK-ut deri më sot dhe theksova rëndësinë e vazhdimit të rezultateve të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, një element kyç për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Forcimi i kapaciteteve hetimore dhe garantimi i standardeve të larta në hetime dhe ndjekje penale, janë vendimtare për konsolidimin e progresit dhe arritjen e rezultateve të qëndrueshme. Bashkimi Evropian mbetet plotësisht i përkushtuar për të mbështetur SPAK-un dhe sundimin e ligjit në Shqipëri,” , citohet të ketë thënë ambasadori Gonzato.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme