Fier- Niveli i Vjosës arrin 7.1 metra, 150 hektarë tokë bujqësore nën ujë, autoritetet: Situata pritet kritike
Reshjet e shiut kanë vijuar me intensitet në të gjithë vendin, teksa në qarkun Fier aktualisht shënohen me intensitet të ulët. Deri në orën 16:00, strukturat vendore të Mbrojtjes Civile dhe Salla Operative e Policisë së Fierit raportojnë se akset rrugore janë të aksesueshme, furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm është normal, ndërsa hidrovorët janë në gatishmëri pune.
Nivelet e lumenjve Seman dhe Shkumbin janë në kuota normale, por prurjet e Vjosës kanë arritur në 7.1 metra në Urën e Mifolit. Si pasojë, rreth 150 hektarë tokë bujqësore në fshatrat Kashisht, Kafaraj dhe Cerven janë nën ujë. Monitorimi në terren ka konstatuar rritje të menjëhershme të nivelit të ujit dhe përhapje në sipërfaqe bujqësore.
Prurjet e Vjosës kanë sjellë prezencë uji edhe në Stacionin e Pompimit të Kafarajit, në njësinë administrative Frakull, prej nga sigurohet furnizimi me ujë i qytetit të Fierit. Si masë paraprake, disa pompa pranë lumit janë stakuar dhe po punohet me kapacitet të reduktuar përmes puseve të tjera më të largëta. Deri tani, kjo masë nuk ka cenuar furnizimin me ujë të qytetit.
Banorët e fshatrave Cerven, Ferras dhe Kashisht janë njoftuar për çdo evakuim të mundshëm, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se situata pritet të jetë kritike edhe në orët në vijim. Institucioni i Prefektit dhe strukturat e Bashkisë Fier po monitorojnë nga afër zhvillimet në terren.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



