Shënohet viktima e parë nga moti i keq-Rrjedha e ujit merr punonjësin e komunales në Durrës, gjendet trupi i pajetë i 54-vjeçarit
Bashkia dhe policia e Durrësit kanë bërë të ditur se është gjetur nga polumbarët e Reneas trupi i pajetë i një 54-vjeçari i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e ujit, duke shënuar në këtë mënyrë viktimën e parë nga përmbytjet në vend.
54-vjeçari, Astrit Hysenaj, punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh, ishte paraqitur në punë më datë 6 janar në orën 06:00 dhe ka ushtruar detyrën deri rreth orës 10:30, kohë në të cilën është larguar nga ambientet e punës.
Sipas Bashkisë së Durrësit, rreth orës 16:00 të së njëjtës datë, familjarët e Hysenajt kanë kontaktuar përgjegjësin e Ndërmarrjes Komunale Plazh për të marrë informacion, pasi ai nuk ishte kthyer në banesë.
Nga ana e tij, përgjegjësi i ndërmarrjes i ka informuar familjarët se punonjësi ishte larguar nga puna rreth orës 10:30. Më pas, familjarët kanë njoftuar Policinë e Shtetit.
“Bashkia Durrës informon se punonjësi i Ndërmarrjes Komunale Plazh, z. Astrit Hysenaj, më datë 06.01.2026, është paraqitur normalisht në vendin e punës në orën 06:00 dhe ka ushtruar detyrën deri rreth orës 10:30, kohë në të cilën është larguar nga ambientet e punës.
Rreth orës 16:00 të së njëjtës datë, familjarët e z. Hysenaj kanë kontaktuar përgjegjësin e Ndërmarrjes Komunale Plazh për të marrë informacion, pasi ai nuk ishte kthyer në banesë. Përgjegjësi i ndërmarrjes i ka informuar familjarët se punonjësi ishte larguar nga puna rreth orës 10:30. Më pas, familjarët kanë njoftuar Policinë e Shtetit”, thuhet në njoftimin e Bashkisë së Durrësit.
Nga ana e saj, policia bën të ditur se trupi i pajetë 54-vjeçari u gjet në një kanal kullues në afërsi të Ish-repartit Ushtarak, ndërsa dyshohet se është marrë nga rrjedha e ujit.
“Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, për largimin nga banesa të shtetasit A. H., 54 vjeç, informojmë se pas kërkimeve të kryera nga shërbimet e Policisë dhe nga polumbarët e Reneas, u gjet trupi i pajetë i 54-vjeçarit, në një kanal kullues në afërsi të Ish-repartit Ushtarak. Paraprakisht dyshohet se shtetasi A. H. është marrë nga rrjedha e ujit. Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po punon në drejtimin e Prokurorisë, për të sqaruar dhe dokumentuar rrethanat e rastit”, thekson në njoftimin e saj policia e Durrësit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




