Berisha: Përmbytjet, shkak i mospastrimit të kanalizimeve dhe mosfunksionimit të hidrovoreve

Politikë | 9 muaj më parë

Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar për situatën e krijuar në vend si pasojë e reshjeve e përmbytjeve dhe në një moment kur Ministria e Mbrojtjes shpalli urdhër-evakuimin për banorët e tri fshatrave në njësinë administrative të Novoselës.

Berisha përsëriti sërish thirrjen ndaj qeverisë për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, ndërsa  e lidh mosshpalljen e saj me argumentin se qeveria sipas tij, nuk do të kompensojë qytetarët për humbjet e krijuara nga fatkeqësia.

“Dhjetëra-mijëra qytetarë kanë shtëpitë e tyre të përmbytura, kanë bizneset e tyre të përmbytura, kanë jetën e tyre të kërcënuar, qeveria jo vetëm që nuk vendos gjendjen e fatkeqësisë natyrore që detyron shtetit të mobilizojë të gjitha burimet, për të shpëtuar e nxjerrë nga rreziku banorët e zonave të kërcënuara e përmbytura, lëshon tallje cinike n të cilën pretendon se opozita po e akuzon për përmbytjen ne Greqi e Itali, një fantazi e sëmurë. Para kësaj situate, dënoj me forcën më të madhe këtë indiferencë çnjerëzore, mosshpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyre, gjendje e cila ka tejkaluar, plotëson në këto rrethe të gjitha kriteret për t’u shpallur. Mosshpallja vjen pasi nuk duan të kompensojnë qytetarët për humbjet e tyre të krijuara nga fatkeqësia”, deklaroi ai.

Duke u ndalur te zonat e përmbytura, Berisha hodhi akuza se situata përpos reshjeve, u favorizua nga mospastrimi i kanalizimeve dhe mosfunksionimi i hidrovoreve.

“Durrësi është përmbytur padiskutim se reshjet e mëdha janë shkaku themelor, por ajo që e favorizoi në mënyrë të paprecedentë është gjendja katastrofale e kanalizimeve dhe funksionimit të hidrovorëve, Porto Romano dhe zonës sipër Bishtit të Pallës.

Këto dy hidrovorë, i pari ka disa porta që nuk i funksionojnë, nuk evakuojnë.

Hidrovori i Hamallës, i ka pompat e djegura. Kanalizimet janë bllokuar me ndërtime të tjera ose nuk janë pastruar.

Në këtë situatë gjithçka favorizon ujin për të përmbytur qytetarët, shtëpitë apo bizneset e tyre.

Situatë dramatike në Novoselë. Bashkia Vlorë ka bërë thirrje për evakuim të menjëhershëm,

Lumi Vjosa është me rrezikshmëri të pakrahasueshme me lumenj të tjerë të vendit me befasinë e prurjeve të tij”, tha Berisha.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme