Përmbytjet në Fier- Vengu: Evakuime në Ferras, Fitore dhe Bishan. Priten reshje dhe erëra të forta në 3 ditët në vijim

Aktualitet | 9 muaj më parë

Evakuimet në Ferras, Fitore dhe Bishan të Fierit janë drejt përfundimit, pas vërshimeve të ujërave në grykëderdhjen e Vjosës. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengo, paralajmëroi se situata mund të përkeqësohet për shkak të reshjeve të vazhdueshme.

Sipas ministrit, përparësi u është dhënë nënave me fëmijë, personave të moshuar dhe atyre me probleme shëndetësore. Ministri theksoi se procesi i evakuimeve do të vijojë edhe në zona të tjera përgjatë grykëderdhjes së Vjosës dhe në Bishan, ku ka vërshime të ujërave.

“Jemi duke përfunduar evakuimet në Ferrras dhe në Fitore, nga të dy anët e grykëderdhjes së Vjosës. Evakuimi është shpallur që në orët e mëngjesit, kemi patur edhe refuzime të mirëkuptuar nga banorët. Kemi patur përparësi kryesisht nënat me fëmijë, personat e moshuar dhe me probleme shëndetësore, kemi një familje me 5 anëtarë që  do evakuohen në këto momente. Do vazhdojmë evakuimet edhe në zona të tjera përgjatë grykëderdhjes dhe në Bishan pasi kemi vërshime të ujërave, bagëtitë për një pjesë të madhe janë evakuuar, kemi situata emergjence edhe në Bishan dhe jemi të angazhuar”, tha ministri.

Vengu tha se sinoptikanët e ushtrisë paralajmërojnë se prurjet e Vjosës do të vijojnë, pasi reshjet e shiut pritet të jenë të vazhdueshme edhe gjatë ditës së shtunë. Ministri shtoi se forcat e emergjencës janë angazhuar edhe në Durrës e Shkodër për menaxhimin e kaskadës, si dhe në Gjirokastër e Përmet, ku reshjet kanë shkaktuar vërshime dhe shembje urash apo rrugësh rurale.

“Parashikojmë që prurjet të vijojnë, vërshimet do vijojnë, sinoptikanët tanë të ushtrisë tregojnë që do të kemi reshje në vijimësi edhe gjatë ditës së shtunë, përgjatë gjithë basenit të Vjosës me shumë prurje që vijën edhe nga ana e Greqisë, çka na detyron të mbajmë gatishmërinë maksimale. Jemi angazhuar edhe në Durrës, Shkodër për menaxhimin e kaskadës, sikundër edhe në Gjirokastër dhe Përmet ku ka shumë reshje, shumë vërshime dhe shembej urash apo rrugës rurale. Prioritet mbete jeta e banorëve sikundër edhe infrastruktura kritike”, theksoi ai.

Ministri paralajmëroi se përgjatë 3 ditëve në vijim do të ketë jo vetëm reshje, por edhe erë të fortë, situatë që mund të çojë edhe në marrjen e masave për kufizime qarkullimi dhe aksesi.

“Tre ditët që vijën do kenë jo vetëm reshje por edhe erëra të forta përgjatë gjithë bregdetit dhe ndaj do marrim masa për të kufizuar aksese, qarkullime, në disa zona do kufizojmë edhe bizneset, por është në të mirë të të gjithëve për kushte sigurie, era do të jetë shumë e fortë në bregdet, ndaj do kemi edhe kufizime të tilla”, tha Vengu.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme