Rruga e Arbërit, drejtori i Policisë Rrugore: Asnjë mjet pa goma dimërore dhe zinxhirë
Përkeqësimi i motit dhe reshjet e dëborës në zonat malore kanë rritur rrezikun në rrugë, duke sjellë reagimin e menjëhershëm të Policisë Rrugore.
Drejtori i Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Perlat Vatoci, ka zbritur vetë në terren pasditen e sotme për të inspektuar situatën në një nga akset më delikate, Rrugën e Arbërit.
Nga terreni, Vatoci ka lëshuar një apel të fortë, i cili vjen edhe si paralajmërim për sanksione ligjore për të gjithë ata që neglizhojnë sigurinë.
Detyrimi për pajisje dimërore
Drejtori Vatoci bëri të qartë se toleranca do të jetë zero për mjetet e papajisura.
“Të gjithë drejtuesit e automjeteve të përdorin mjetet antirrëshqitëse (zinxhirë) dhe goma dimërore. Policia Rrugore ka marrë detyrë dhe urdhër të prerë që të ndëshkojë çdo drejtues automjeti që nuk zbaton me rigorozitet rregullat e qarkullimit në raste të tilla,”, u shpreh ai.
Ky urdhër vjen për të parandaluar bllokimin e rrugëve dhe aksidentet që mund të shkaktohen nga rrëshqitja e mjeteve në rrugët me ngrica apo dëborë.
Mobilizim 100% dhe bashkëpunim në terren
Përveç masave ndëshkimore, Policia garanton gatishmëri të plotë. Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Policisë Rrugore janë 100% në detyrë. Atyre u janë bashkuar edhe Patrullat e Përgjithshme, Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe Forca Kombëtare e Sigurisë (FKS), të cilat po asistojnë qytetarët në zonat problematike dhe po menaxhojnë trafikun.
Gjithashtu, Vatoci konfirmoi se po bashkëpunohet ngushtë me firmat kontraktore për të siguruar pastrimin e dëborës dhe hedhjen e kripës në kohë reale.
Për çdo emergjencë apo vështirësi në rrugë, Policia e Shtetit fton qytetarët të telefonojnë pa hezitim në numrin pa pagesë 112. Efektivët në terren janë të instruktuar për t’iu përgjigjur çdo nevoje të drejtuesve të mjeteve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



