Balluku dhe Kumbaro nga Gjirokastra: Niveli i Vjosës po ulet, bashkitë në çdo rast të kenë gati një plan evakuimi

Aktualitet | 9 muaj më parë

Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri të ditur se niveli i lumit Vjosa është ulur nga 8 metra në 6.5 metra duke treguar ulje të prurjeve dhe një përmirësim të situatës përgjatë qyteteve të jugut ku kalon lumi.

“Sapo kemi përfunduar mbledhjen e Komitetit të Emergjencave për qarkun e Gjirokastrës. Kemi diskutuar të gjitha problematikat. Një lajm i mirë është për gjithë jugun, ku kalon lumi i Vjosës. Krahasuar me nivelin që kemi pasur në pikën e matjes në Memaliaj, që ka qenë 8 metra, tani është 6.5 metra, pra një ulje me 1.5 metra. Kjo tregon përmirësim të situatës. Edhe në Novoselë situata është më e qetë. Kemi folur edhe me popullatën e zonës për evakuimin, por me rënien e nivelit kjo tregon përmirësim. Rrugët kryesore janë të hapura në Gjirokastër, ndërsa disa rrugë fshatare vazhdojnë të jenë të bllokuara. Vetëm në fshatin Memaliaj disa banesa do të inspektohen nga forcat e FA dhe Emergjencat Civile, ndërsa e gjithë situata e qarkut është nën kontroll”, tha Balluku.

Pas mbledhjes së Komitetit të Emergjencave për qarkun e Gjirokastrës, Balluku tha se situata është nën kontroll, por shtoi se të gjitha bashkitë duhet të kenë gati një plan evakuimi, në rast se do të nevojitet.

“Duhet një plan evakuimi për të gjitha bashkitë. Bashkitë që kanë njësi hotelerie do ta kenë më të lehtë, ndërsa të gjithë bashkitë e tjera duhet të marrin masa bashkë me emergjencat civile për të akomoduar banorët në rast evakuimi në palestra apo njësi të tjera”, tha Balluku.

Balluku bëri me dije se rrugët kryesore në Gjirokastër janë të kalueshme, ndërsa disa rrugë të fshatrave vazhdojnë të jenë të bllokuara. Ajo tha se qeveria ka në plan ndërhyrjen në disa zona të prekura për të parandaluar erozionin, duke përdorur pyllëzim dhe masa të tjera mbrojtëse.

“Në Gjirokastër kemi pasur ndërprerje të energjisë elektrike, veçanërisht në Lunxhëri, por energjia është rikthyer falë ndërhyrjes së shpejtë të punonjësve dhe strukturave vendore. Aksi Tepelenë–Gjirokastër ka pasur rrëshqitje të tokës që vijnë nga lart dhe jo nga skarpatet e rrugës. Kemi planifikuar ndërhyrje për disa zona të prekura, duke përdorur pyllëzim për të parandaluar erozionin që është shfaqur gjatë 48 orëve të fundit”, tha ajo.

Edhe ministrja e Arsimit dhe drejtuesja politike e qarkut Gjirokastër, Mirela Kumbaro, tha se qyteti u përball me situatë problematike, pas prurjeve të mëdha jo vetëm të shiut por edhe akumulimit të mbetjeve dhe inerteve.         

“Patëm krizën më të madhe në qytetin e Gjirokastrës për shkak të prurjeve të mëdha dhe mbetjeve të grumbulluara. Mësimi ka rinisur dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm për çdo rast emergjent. Për të dëmtuarit do të bëjmë evidentimin e dëmeve sapo situata të qetësohet plotësisht,” tha Kumbaro.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme