Zjarri te “5 Maji”, në ndihmë zjarrfikës nga Kamza dhe Vorë. Goxhaj për RTSH: Po punojmë që flakët të mos përhapen në objektet e tjera

Aktualitet | 9 muaj më parë

Një zjarr i madh ka përfshirë një magazinë të tregut të rrobave të përdorura në rrugën “5 Maji” në Tiranë, ndërsa zjarrfikësit po punojnë intensivisht për ta vendosur flakën nën kontroll dhe për të shmangur përhapjen e saj në ndërtesat dhe bizneset përreth.

Drejtori i Zjarrfikëses së Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, tha për RTSH se të gjitha kapacitetet e zjarrfikësve të qytetit janë të angazhuara në vendin e ngjarjes, me mbështetje edhe nga zjarrfikësit e Kamzës dhe Vorës.

“Jemi me të gjithë kapacitetet e Tiranës këtu dhe me mbështetjen e zjarrfikësve të Kamzës dhe të Vorës. Momentalisht zjarri është i përqendruar në një objekt dhe po mundohemi që të mos përhapet në objektet e tjera. Është dashur ndihma nga shërbimet dhe drejtoritë e tjera. Kemi komunikuar edhe me drejtuesit e bashkisë Tiranë, që kanë vënë në dispozicion strukturat e ujësjellës-kanalizimeve, të cilat furnizojnë me ujë, si dhe shërbimet e tjera: policia e shtetit dhe policia bashkiake që sigurojnë perimetrin që të mos ketë dëmtime të tjera”, tha Goxhajt.

Pronaret e bizneseve janë të pranishëm dhe po mundohen që një pjesë të mallrave të tërhiqet për të parandaluar përhapjen e zjarrit. Goxhajt tha se nga informacionet e siguruara, në vendngjarje ka edhe bombola gazi, por ato janë bosh dhe nuk rrezikojnë jetën e zjarrfikësve apo përhapjen e flakëve.

“Pronarët e bizneseve janë këtu dhe po mundohen që një pjesë të mallrave ta tërheqin dhe të shmangin përhapjen e zjarrit. Jemi gjatë gjithë kohës duke luftuar me flakët për ta vendosur në kontroll. Nga informacioni që kemi, ka edhe bombola që përdoren për shitjen e gazit, por fatmirësisht ato janë bosh dhe nuk rrezikojnë zjarrfikësit dhe as përhapjen e zjarrit. Këtu ka rroba dhe mjete plastike që do na duhet kohë t’i shuajmë dhe mendoj se operacioni do zgjasë edhe pas mesnatës. Atë që po mundohemi është të izolojmë zjarrin vetëm brenda këtij objekti dhe të mos përhapet”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme