Moti i keq, pas shiut në disa zona nis dëbora. Ndërprerje energjie në disa qarqe. Probleme në rrugën Përmet–Dogana e Tre Urave

Aktualitet | 9 muaj më parë

Moti i keq i ditëve të fundit, i shoqëruar me reshje të dendura shiu dhe erëra të forta, ka shkaktuar përmbytje dhe problematika në disa zona të vendit. Megjithatë, situata paraqitet disi e përmirësuar ditën e sotme, ndërsa strukturat e emergjencave vijojnë punën në terren për menaxhimin e pasojave dhe rikthimin e normalitetit.

Gjirokastër

Në qarkun e Gjirokastrës, dita e sotme ka nisur me mot të kthjellët dhe pa raportime për bllokime rrugësh nga dëbora në zonat malore. Megjithatë, në Bashkinë Gjirokastër raportohet prezencë dëbore në fshatrat e Njësisë Administrative malore Picar.

Aksi Gjirokastër–Tepelenë vijon të jetë me një kalim pranë Shkallës së Zezë, ndërsa rruga Përmet–Dogana e Tre Urave është e bllokuar për shkak të çarjes së trupit të rrugës në hyrje të fshatit Petran, ku ndodhet Policia Rrugore. Bashkitë vijojnë punën për pastrimin e qendrave urbane dhe hapjen e rrugëve rurale.

Furnizimi me energji elektrike mbetet problematik në disa zona të qarkut Gjirokastër, ku disa fshatra në bashkitë Memaliaj, Gjirokastër, Libohovë, Dropull dhe Përmet janë ende pa energji, ndërsa ekipet janë në terren për rikuperimin e situatës. Niveli i lumit Vjosë në pikëmatjen e Memaliajt është nën kuotën 4.5 metra.

Shkodër

Nga strukturat vendore nuk raportohen problematika të Emergjencave Civile dhe situata paraqitet e qëndrueshme. Nivelet e lumenjve Buna dhe Drin janë nën kuotat kritike, me tendencë rënieje, ndërsa në njësinë administrative Dajç niveli i ujit është 6.20 metra. Pranë fshatit Obot vijon prezenca e ujit në rrugën kryesore, ku Forcat e Armatosura po asistojnë banorët me mjete të posaçme.

Në bashkitë Vau Dejës, Malësi e Madhe, Pukë dhe Fushë-Arrëz nuk evidentohen problematika të Emergjencave Civile. Në Malësi të Madhe ka pasur tërheqje të ujit në zonën Rreze e Veshtit në Kastrat, ku po punohet për rikthimin e aksesit të plotë. Situata në të gjitha këto bashki mbetet e qetë dhe nën monitorim të vazhdueshëm.

Lezhë

Në territorin e Qarkut Lezhë situata paraqitet përgjithësisht e qetë. Në Njësinë Administrative Fushë Kuqe (Adriatik, Golem, Patok) raportohet rritje e moderuar e nivelit të ujërave për shkak të çarjes së argjinaturës në krahun e Durrësit, ndërsa në Gjorëm dhe zona përreth Mamurrasit është evidentuar tërheqje e konsiderueshme e ujërave në tokat bujqësore.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, hidrovorët në Vilun dhe Casi vijojnë punën normalisht me kapacitet të plotë, ndërsa argjinaturat, kanalet kulluese, shkarkuesit dhe diga e Rezervuarit të Shkodrës funksionojnë pa problematika. Lumenjtë Kir dhe Gjadër kanë shënuar rënie të ndjeshme të prurjeve, duke ndikuar pozitivisht në stabilizimin e situatës hidrologjike. Gjatë 24 orëve të fundit nuk ka pasur reshje shiu, por temperaturat kanë rënë nën zero gradë.

Puna vijon në argjinaturat e kanaleve të ujërave të larta, pastrimin e inerteve dhe grykëderdhjeve, rehabilitimin e rrugës së Tugëve në Gjorëm dhe sistemimin e aksit Skuraj–Vinjollë, me mbështetjen e Forcave të Armatosura. Zona Fushë Kuqe vijon të mbetet zonë “e kuqe” dhe po mbahet nën monitorim të shtuar, me gatishmëri edhe për evakuime në rast përkeqësimi të situatës.

Bashkia Lezhë ka ngritur ekipe të përbashkëta për vlerësimin e dëmeve në banesa, toka bujqësore dhe rrugë, ndërsa gjatë ditës së sotme janë angazhuar dhjetëra forca dhe mjete për pastrimin e mbetjeve, pusetave, urave dhe largimin e ujit nga bodrumet.

Në Bashkinë Mirditë reshjet janë ndërprerë, por janë shënuar ulje të ndjeshme të temperaturave dhe prezencë akulli në disa segmente rrugore, pa bllokime. Ndërkohë, nga DRUK raportohet se puna vijon pa ndërprerje me të gjitha mjetet dhe personelin, ndërsa gjatë natës ka pasur ndërprerje të përkohshme të energjisë në disa hidrovorë, të cilat janë normalizuar brenda pak orësh.

Qarku Durrës

Situata nga përmbytjet në qarkun e Durrësit vazhdon të jetë e rënduar si pasojë e reshjeve intensive dhe daljes së lumit Erzen nga shtrati. Strukturat e Bashkisë, ato operacionale të emergjencave dhe Shtabi i Emergjencave Civile ndodhen në terren dhe monitorojnë situatën në mënyrë të pandërprerë.

Bashkia Durrës: Lumi Erzen ka dalë nga shtrati dhe ka shkaktuar përmbytje në disa zona, ndërsa Kanali i Tonës ndodhet në nivel maksimal. Hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallajt punojnë me kapacitet të plotë. Në terren bashkia ka angazhuar 111 persona për përmirësimin dhe menaxhimin e situatës, Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës ka angazhuar 80 persona, Policia Bashkiake 70 persona, Policia e Shtetit 70 persona, OSHEE 80 persona dhe nga rezervat e Shtetit janë në përdorim 6 pompa me kapacitet të lartë. Forcat e Armatosura janë angazhuar me mjete të rënda, gomone, pompa dhe 37 efektivë

Janë evakuuar gjithsej 667 banorë që janë strehuar në hotele, struktura shtetërore dhe familjarë, ndërsa janë shpërndarë 700 pako ushqimore nga Drejtoria e Rezervave Shtetërore për banorët e strehuar.

Në zonat Katund i Ri dhe Sukth janë rreth 1,000 ha tokë bujqësore të përmbytura. Sukth: Rreth 5,000 ha tokë bujqësore nën ujë; lagjet 2, 3, 4 dhe pjesë e qytetit të përmbytura Rrashbull: 400 ha tokë bujqësore e përmbytur

Bashkia Krujë: Të përmbytura janë 50 banesa dhe 600 hektarë tokë, evakuohen 30 persona. Në Njësinë Administrative Thumanë ka njoftime për disa banesa me prezencë uji, nga prezenca e ujit në banesa janë evakuuar dhe strehuar te afërmit e tyre. Në Thumane kemi  7 familje, të ndihmuar edhe nga një mjet i FA, me një ekskavator të Durrësit. Dhe pas komunikimit me Qarkun Lezhë po punohet për mbylljen e çarjes se argjinaturës në lumin Droje, në fshatin Dukagjin. Lumenjtë Gjole dhe Zeze kane dale nga shtrati.   

Bashkia Shijak: Fshatrat më të prekura: Xhafzotaj, Maminas, Gjepalaj, Fllakë, Sallmonaj dhe zona “4 Rrugët e Shijakut”. Të përmbytura janë 180 hektarë tokë dhe 75 banesa si dhe janë 10 akse rurale të bllokuara. Të gjitha strukturat përgjegjëse vijojnë të jenë në gatishmëri maksimale. Ndërhyrjet po vazhdojnë sipas prioriteteve të emergjencës, ndërsa procesi i evidentimit dhe verifikimit të banesave të dëmtuara po vazhdon.

Fier

Niveli i prurjeve në lumin Vjosë ka nisur të bjerë, duke sjellë një lehtësim të situatës në zonat e përmbytura të qarkut Fier. Megjithatë, në fshatin Ferras, 80 banesa vijojnë të jenë të mbuluara nga uji.

Mbrëmjen e së enjtes, uji depërtoi në qendër të fshatit pas shpërthimit të kanalit të Martines, duke shkaktuar përmbytje të menjëhershme. Banorët u evakuuan me vështirësi për shkak të nivelit të ujit, që arriti rreth 30 centimetra, dhe rrjedhës së fortë.

Ndërhyrja në kohë e strukturave të Emergjencave Civile bëri të mundur evakuimin e detyruar të banorëve të rrezikuar.

Sipas Emergjencave Civile pranë Prefekturës Fier, aktualisht rreth 200 hektarë tokë bujqësore ndodhen nën ujë, ndërsa 18 persona janë evakuuar.

Kukës

Në qarkun e Kukësit, situata e motit paraqitet e qëndrueshme dhe pa reshje. Subjektet kontraktore vijojnë punën për pastrimin e inerteve dhe kriposjen e rrugëve, ndërsa të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme.

Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk raportohen problematika, ndërsa strukturat vendore po vijojnë punën për eliminimin e pasojave të shkaktuara nga reshjet e ditëve të mëparshme.

Furnizimi me energji elektrike është normal në pjesën më të madhe të qarkut, me përjashtim të disa fshatrave në bashkinë Kukës dhe njësinë administrative Qytet Fierz në bashkinë Tropojë. Furnizimi me ujë të pijshëm realizohet sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Kukës.

Korçë

Prefektura e Qarkut Korçë bën me dije se situata aktuale paraqitet e qëndrueshme, megjithëse disa problematika vijojnë në zonat rurale.

Sipas OSHEE-së, 11 fidera 10 kV rezultojnë të stakuar (8 pjesërisht), duke lënë pa energji 1,995 abonentë ruralë në drejtoritë rajonale Korçë, Maliq, Pogradec dhe Ersekë. Nuk ka ndërprerje të energjisë në zonat urbane, dhe furnizimi për objektet e rëndësisë së veçantë vijon normalisht. Ekipet e OSHEE-së janë në terren për riparimin e defekteve.

Si pasojë e reshjeve, argjinatura e lumit Devoll vazhdon të jetë e çarë, duke lënë rreth 3,600 ha tokë bujqësore në Fushën e Maliqit nën ujë. Reshjet e borës nuk kanë shkaktuar problematika shtesë.

Sa i përket rrugëve, në përgjithësi akset rrugore janë të hapura. Megjithatë:

Aksi Qafë Plloçë – Qukës vijon të jetë i bllokuar, po pastrohen inertet.

Rruga e fshatit Dardhas është në punë për krijimin e një bypass-i.

Rruga e fshatit Denas do të hapet sapo të ulet niveli i ujit.

Nga ARRSH – Drejtoria Qendër-Lindje:

Ersekë – Leskovik: kriposje gjatë natës, qarkullimi lejohet me goma dimërore dhe zinxhirë.

Maliq – kufiri me Gramshin: qarkullim normal pas kriposjes.

Korçë – Ersekë (km 3), Zëmblak – Goricë, Bilisht – Miras (km 6): kriposje dhe qarkullim me goma dimërore.

Boboshticë – Dardhë: kriposje në të gjithë segmentin për shkak të temperaturave të ulëta.

Strukturat e e mbrojtjes civile dhe shërbimet rrugore u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të qarkullojnë vetëm me goma dimërore ose zinxhirë, për shkak të ngricave të pranishme në disa segmente rrugore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme