Arens Çela merr drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, Altin Dumani do të trajnojë prokurorët dhe gjyqtarët në Kosovë

Aktualitet | 9 muaj më parë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka përmbyllur sot një nga proceset më të rëndësishme për organin e akuzës në kryeqytet. Në seancën plenare të radhës, KLP vendosi unanimisht emërimin e prokurorit Arens Çela në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Vendimi erdhi pasi Këshilli miratoi raportin e verifikimit të pasurisë dhe figurës, si dhe vlerësimin profesional. Çela do ta drejtojë prokurorinë më të madhe në vend për një mandat 3-vjeçar, i cili hyn në fuqi menjëherë dhe përfundon më 10 janar 2029.

Altin Dumani ekspert në Kosovë

Në të njëjtën mbledhje, KLP miratoi kërkesën e ish- kreut të SPAK, Altin Dumani. Ai ka marrë miratimin për të shërbyer si folës dhe ekspert kryesor në një “Masterclass” të nivelit të lartë në Prishtinë.

Trajnimi praktik për prokurorët dhe gjyqtarët e Kosovës organizohet nga Ambasada Britanike.

Lëvizjet në rrethe dhe Vettingu

Mbledhja dha vendime edhe për prokuroritë e rretheve:

Lezhë- Nis verifikimi i pasurisë dhe figurës për kandidatin Arben Nika (për drejtues).

Fier- Nis verifikimi për riemërimin e drejtuesit aktual, Elion Mustafaj.

Vettingu për subjektin Anton Pali u caktua seanca dëgjimore më 13 janar 2026.

Nga ana tjetër u pezullua procedimi ndaj prokurorit të Beratit, Dritan Gripshi.

Gjithashtu, anëtari i KLP-së, Erind Mërkuri, u votua si përfaqësues në Komisionin për Mbrojtjen e Prokurorëve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme