Fier- Semani dhe Shkumbini dalin nga shtrati , Vjosa me prurje të larta. Banesa dhe toka bujqësore të përmbytura

Vendi vijon të përballet me motin e keq, teksa në Fier, prurjet e lumenjve kryesorë kanë sjellë probleme të konsiderueshme në disa zona.
Akset nacionale dhe rurale janë të kalueshme normalisht, furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm është në rregull, ndërsa hidrovoret janë në gjendje pune dhe gatishmëri të plotë. Megjithatë, prurjet e larta të lumenjve kanë shkaktuar përmbytje në disa zona bujqësore dhe banesa.
Në lumin Vjosa, prurjet janë në kuota të larta, por me tendencë uljeje sipas të dhënave nga ura e Memaliaj. Ujërat e tepërta po tërhiqen drejt Hidrovorit të Darzezës, duke lehtësuar tokat bujqësore të përmbytura.
Ndërkohë, lumi Seman ka dalë nga shtrati në fshatin Murriz, në Njësinë Administrative Fiershegan të Bashkisë Lushnje, duke sjellë prezencë uji në oborret e banesave. Përveç kësaj, qindra hektarë tokë bujqësore janë përmbytur brenda argjinaturave në Roskovec, Patos dhe Fier.
Probleme janë shënuar edhe në lumin Shkumbin, i cili ka dalë nga shtrati në fshatin Thanasaj, duke kaluar nivelin e argjinaturës dhe duke prekur rreth 20 banesa. Strukturat e Bashkisë Lushnje ndodhen në terren dhe po shqyrtojnë mundësinë e evakuimit të banorëve të prekur.
Autoritetet theksojnë se mbeten në kontakt të vazhdueshëm për monitorimin e situatës dhe marrjen e masave të nevojshme, ndërsa u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



