Iran, rritet numri i viktimave – Mbi 540 të vrarë nga protestat, SHBA paralajmëron veprime të forta
Numri i viktimave në Iran po rritet nga dita në ditë, teksa protestat kundër regjimit vijojnë në shumë qytete të vendit. Sipas organizatës së të drejtave të njeriut HRANA, me seli në SHBA, të paktën 544 persona janë vrarë në 15 ditët e fundit. Mes viktimave raportohet se janë edhe tetë fëmijë.
Po sipas të njëjtave burime, mbi 10 mijë e 600 persona janë arrestuar dhe janë dërguar në burgje. Autoritetet iraniane kanë ndërprerë internetin dhe linjat telefonike për më shumë se 84 orë. Kjo ka vështirësuar verifikimin e plotë të situatës dhe numrit real të viktimave në terren.
Ndërkohë, Garda Revolucionare e Iranit ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për ndërhyrje në punët e brendshme të vendit. Në një deklaratë zyrtare, ajo i cilësoi protestat si kryengritje të dhunshme dhe fajësoi SHBA-në për nxitjen e tyre.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se udhëheqësit iranianë kanë kontaktuar Shtëpinë e Bardhë dhe kërkojnë negociata. Trump tha se një takim po planifikohet, por paralajmëroi se ushtria amerikane po shqyrton opsione të forta.
Ai theksoi se SHBA-ja mund të veprojë edhe përpara se të zhvillohet takimi. Protestat nisën më 28 dhjetor për shkak të rritjes së çmimeve dhe janë shndërruar në thirrje të hapura kundër regjimit që drejton Iranin prej vitit 1979.
Gazetare: A. Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




