Rasti i nënës me 3 fëmijë në Durrës, ndërhyn Bashkia: Do të asistohen me ndihmë mjekësore dhe sociale

Institucionet vendore në Durrës kanë reaguar pas sensibilizimit për situatën e vështirë të 33- vjeçares B. B dhe tre fëmijëve të saj.
Drejtoria e Shërbimit Social pranë Bashkisë së Durrësit njoftoi sot marrjen e një sërë masash emergjente dhe afatgjata për të nxjerrë familjen situata e vështirë sociale dhe ekonomike.
Vendimet u morën pas një mbledhjeje urgjente të Grupit Teknik Ndërsektorial (GTN), ku morën pjesë përfaqësues të Shërbimit Social, Policisë, Shëndetësisë dhe Organizatave Jo-Qeveritare, Policia, Shëndetësia dhe institucione të tjera ku u vendos që familjes t’i ofrohet ndihmë e menjëhershme.
Sakaq tre fëmijët do të dërgohen urgjentisht në spital, ndërsa do të sigurohen veshmbathje dhe medikamente të nevojshme për trajtimin e tyre.
Po ashtu, do të kryhet pastrimi dhe dezinfektimi i banesës, me financim nga organizatat ARSIS dhe World Vision.
Ndërkohë, familja do të ndihmohet për transferimin e regjistrimit në gjendjen civile nga Vau i Dejës, ku aktualisht rezultojnë të regjistruar, në qytetin e Durrësit. Pas këtij transferimi, Bashkia e Durrësit do ta përfshijë familjen në listën e përfituesve për strehim social.
Për nënën, nëpërmjet Zyrës së Punës, do të ofrohet një punësim dinjitoz me orar 8-orësh, në mënyrë që të ketë mundësi të kujdeset dhe të mirërrisë fëmijët e saj. Gjithashtu, asaj do t’i ofrohen kurse prindërimi dhe këshillim psikologjik.
Shërbimi Social do të kryejë kontrolle dhe mbikëqyrje të përditshme për mbarëvajtjen e familjes, ndërsa nëna do të jetë nën një masë prove për të vlerësuar aftësinë e saj për të mbajtur kujdestarinë e fëmijëve.
Masat e marra përfshijnë:
Krijimin e kushteve higjieno-sanitare përmes dezinfektimit të banesës nga “Nisma ARSIS”;
Pagesën dhe mbulimin me medikamente nga ARSIS;
Vendosjen e masës së mbikëqyrjes së specializuar në familje;
Ofrimin e kurseve të prindërimit nga “Nisma ARSIS”;
Këshillim psikologjik për nënën dhe fëmijët nga “Nisma ARSIS”;
Sigurimin e veshmbathjeve për tre fëmijët nga “World Vision”;
Ofrimin e pakove ushqimore dhe higjieno-sanitare nga “Nisma ARSIS”;
Orientimin e nënës për transferimin në gjendjen civile në Durrës, me qëllim përfitimin e shërbimeve sociale, aplikimin për fondin e veçantë, strehim social ose bonus qiraje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



