Vendim për korrupsion zgjedhor/ GJKKO shpall fajtorë dy të pandehurit për blerje votash

Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtorë dhe dënuar 2 persona të pandehur për akuzën e korrupsionit zgjedhor aktiv dhe pasiv.
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Posaçme , vendimi u dha ditën e sotme (13 janar), për Pandeli Bozha dhe Vladimir Lushka, por ky dënim u konvertua në fund nga GJKKO në shërbim prove dhe shuarje.
Gjykata e shpalli fajtor Bozhën për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal. Ai u dënua fillimisht me 1 vit e 6 muaj burgim, por në aplikim të nenit 406, dënimi iu ul me 1/3 duke përfunduar në 1 vit burgim.
Prokuroria e Posaçme kishte nisur hetimet prej vitit të kaluar, duke e dërguar dosjen në gjyq.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Bib Ndreca.
Bozha u dënua me 1,5 vite burg, po për shkak të gjykimit të shkurtuar u bë 1 vit dhe si përfundim u kthye në shërbim prove. Fajtor u shpall edhe Lushka, por sipas GJKKO ky dënim shuhej, pa përcaktuar masën e tij.
Në fund u bë edhe sekuestrimi i provës materiale për llogari të shtetit, që ishte një kartmonedhë 2 mijë lekëshe që do përdorej për blerjen e votës.
Vendimi i plotë i GJKKO-së:
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 60/1, të vitit 2025, në ngarkim të të pandehurve: Pandeli Bozha, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal dhe Vladimir Lushkaj, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal”.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Bib Ndreca, me vendimin nr. 1, datë 13.01.2026 vendosi:
1.Deklarimin fajtor të të pandehurit Pandeli Bozha për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
-Në aplikim të nenit 406, kësaj mase dënimi i ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht dënimin e tij me 1 vit (një) burgim.
-Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënien në provë të të dënuarit, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër penale tjetër, për një periudhë prej 24 muaj.
Deklarimin fajtor të pandehurit Vladimir Lushkaj për kryerjen veprës penale “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.
-Në bazë të nenit 52/b të Kodit Penal, përjashtimin nga dënimi të të pandehurit Vladimir Lushkaj.
Lidhur me provat materiale, Gjykata disponon si më poshtë:
një kartmonedhë në shumën 2000 lekë duke qenë se ajo është shpërblim i dhënë për veprën penale, konform nenit 36/1/c të Kodit Penal, të kalojë në favor të shtetit.
– një fletë e ngjashme si ato të fletëve të votimit ku emri i kandidates për deputete L.B ishte i ngjyrosur me ngjyrë portokalli, të bëhet pjesë e fashikullit të gjykimit.
Shpenzimet procedurale të kryera gjatë fazës së hetimit paraprak në shumën 6,361.52 (gjashtë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e një pikë pesëdhjetë e dy) lekë, seancës paraprake dhe gjatë gjykimit, sipas procesverbalit bashkëlidhur këtij vendimi, i ngarkohet të pandehurve solidarisht.
Kundër këtij vendimi lejohet apel brenda afatit ligjor, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




