Berisha: Partia Demokratike ka treguar një besnikëri të palëkundur ndaj demokracisë dhe vlerave të saj

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi turin e “Foltores” në Lezhë, ku u mbajt edhe ceremonia e 35-vjetorit të themelimit të degës së PD-së. Para qytetarëve dhe simpatizantëve, Berisha u ndal te rruga historike e demokratëve dhe roli i tyre në përmbysjen e sistemit komunist, duke e cilësuar PD-në si forcën që solli pluralizmin politik dhe lirinë në Shqipëri.
Berisha theksoi se Partia Demokratike ka treguar një besnikëri të palëkundur ndaj demokracisë dhe vlerave të saj, duke kujtuar se edhe në momentet më të vështira, PD ka mbajtur standarde morale dhe nuk ka mashtruar qytetarët.
“Unë duhet të përulem me nderimin më të madh para atyre djemve dhe vajzave, djemve dhe vajzave të këtij rrethi që 35 vite më parë, në kushtet e terrorit të vërtetë komunist me vendosmëri dhe guxim themeluan këtu në Lezhë, PD-në, themeluan pluralizmin politik, ndanë epokat, përmbysën sistemin më çnjerëzor që shqiptarët kishin provuar në tërë historinë e tyre, sistemin komunist, dhe çelën dyert e lirisë, demokracisë në këtë qark dhe mbarë Shqipërinë.Nderimi më i madh për ta”-tha Berisha.
Ai solli në vëmendje periudhat e qeverisjes, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe hapat drejt integrimit europian.
Por mesazhi i tij nuk ishte thjesht retrospektiv. Berisha e përdori këtë përvjetor si një moment për të thirrur qytetarët në aksion opozitar dhe protesta kundër qeverisë aktuale. Ai u shpreh se PD është e vendosur të mbrojë votën e shqiptarëve dhe të denoncojë çdo abuzim, duke paralajmëruar se koha e reagimit ka ardhur.
“Partia Demokratike është sot më e vendosur se kurrë të qëndrojë në krah të qytetarëve, të mbrojë lirinë dhe të denoncojë padrejtësitë. Ne nuk do të lejojmë që interesat e vendit të shiten dhe demokracia të nëpërkëmbet. Protesta është rruga e vetme përballë një pushteti që ka humbur legjitimitetin,” – u shpreh Berisha, duke i dhënë tonin opozitar fjalës së tij.
Ai nënvizoi se PD do të vazhdojë betejën me mjete demokratike, por me vendosmëri të plotë, duke i ftuar qytetarët të mos e shprehin revoltën vetëm në rrjete sociale apo kafene, por ta manifestojnë në sheshe dhe bulevarde.
Berisha u bëri thirrje demokratëve që të qëndrojnë të bashkuar dhe të vendosur përballë sfidave, duke e cilësuar betejën e tyre jo vetëm kundër qeverisë dhe misionarëve të saj brenda PD-së, por edhe si një betejë globale.
Ai e përshkroi këtë përballje si një luftë për dinjitetin, idealet dhe sovranitetin e vendit, duke i ftuar demokratët të mos dorëzohen përballë presioneve dhe izolimit.
“Ju zgjodhët interesin kombëtar, vokacionin perëndimor dhe pluralizmin që themeluat. Sot jemi këtu sepse qëndruam,” – ishte mesazhi i tij, duke i inkurajuar demokratët të vazhdojnë rezistencën dhe aksionin opozitar
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




