27-vjetori i Masakrës së Reçakut, aktivitete përkujtimore në gjithë Kosovën

Me një sërë aktivitetesh përkujtimore, sot dhe nesër shënohet 27-vjetori i Masakrës së Reçakut, një prej ngjarjeve më tragjike në historinë e fundit të Kosovës. Në kuadër të manifestimit “Ditët e Reçakut”, institucionet lokale dhe qendrore, në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta, organizojnë aktivitete për nderim dhe kujtim të viktimave, me qëllim ruajtjen e së vërtetës historike dhe edukimin e brezave të rinj.
Gjatë ditës së sotme, në të gjitha shkollat e Komunës së Shtimes, ora e parë mësimore i kushtohet 15 Janarit – Masakrës së Reçakut. Po ashtu, në ora 10:00, në Bibliotekën e Qytetit, Forumi i Intelektualëve të Shtimes organizon një tryezë shkencore përkujtimore me temën “Mohimet serbe të krimeve dhe gjenocidit – destabilizim për Ballkanin”.
Ndërkohë, të enjten (15 janar), ora e parë mësimore kushtuar Masakrës së Reçakut do të mbahet në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës. Programi i ditës përfshin homazhe nga niveli komunal në Varrezat e Dëshmorëve në Shtime, Mollopolc dhe Reçak, duke filluar nga ora 09:00, si dhe homazhe nga krerët e shtetit në Kompleksin Memorial në Reçak në ora 10:30.

Më pas, në ora 12:00, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime do të mbahet Akademia përkujtimore, ndërsa në ora 13:00 do të hapet ekspozita tradicionale “Çmimi William Walker 2026”, edicioni i dytë, me ideatore dhe krijuese Emine Jetishi. Aktivitetet përmbyllen në ora 15:00 me finalen e Turneut Memorial në futboll të vogël “Ditët e Reçakut”, që do të zhvillohet në fushën sportive “Arbëri” në Reçak.
Të gjitha këto aktivitete organizohen nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Kryetarit të Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, si dhe shoqatave të dala nga lufta.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




