Arratisja e Altin Ndocit, arrestohen 6 efektivët e shoqërimit, në pranga dhe zv.shefi i policisë së burgut dhe kryeinfermieri i spitalit
Arrestohen 8 persona për arratisjen e të paraburgosurit Altin Ndoci nga Spitali Rajonal i Durrësit ditën e djeshme (13 janar).
Bëhet fjalë për 6 efektivë të policisë të cilët shoqëruan Altin Ndocin në ambientet e Spitalit të Durrësit, zv.shefi i Policisë së Burgut (shefi i Policisë së Burgut ishte me leje) dhe kryeinfermieri i spitalit.
Konkretisht janë vënë në pranga A.Ç., D.P., D.S., S.F., P.M., F.B., A.Ç, si dhe V.U.
Arrestimet vijnë një ditë pas arratisjes së të paraburgosurit Ndoci nga spitali, ku kishte një kontroll të planifikuar më herët në Repartin Infektiv.
Gjatë kontrollit mjekësor, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet i cili ndodhej brenda dhomës së kontrollit. Në momentin që ka dalë, ai ka goditur dy efektivët që e shoqëronin dhe ka dalë me forcë nga dhoma duke zbritur shkallët e repartit. Një nga policët e burgjeve ka qëlluar një herë me armë zjarri për paralajmërim, por i burgosuri ka arritur të dalë nga godina dhe të largohet.
Nga oborri i spitalit ai është larguar me një automjet tip Audi A7 që dyshohet se e priste në parkimin e brendshëm.
Menjëherë pas ngjarjes, Policia e Shtetit ka ngritur postoblloqe në Durrës, Kavajë dhe në qarqet Tiranë, Fier dhe Lezhë.
Pas arratisjes Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka marrë masa të menjëhershme administrative. I gjithë zinxhiri komandues i burgut të Durrësit është shkarkuar nga detyra deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Altin Ndoci me origjinë nga Puka dhe me banim në Tiranë, ndodhej në paraburgim për vepra të rënda penale.
Ndoci akuzohet për “Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një herë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit) dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



