Arratisja e Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit, Drejtoria e Burgjeve: Nuk u informuam as ne dhe as policia, s’u respektua procedura e shoqërimit

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar në lidhje me arratisjen e të burgosurit Altin Ndoci ditën e djeshme, gjatë një vizite mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës.
Sipas Drejtorisë, nga verifikimet paraprake është konstatuar se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve. Gjithashtu, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe autoritetet e policisë për planifikimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi.
Si pasojë, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës, përfshirë drejtorin, shefat e policisë, shërbimin shëndetësor dhe punonjës të tjerë të përfshirë.
“Nga verifikimet paraprake rezulton se, për shoqërimin e planifikuar, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.
Nisur nga të dhënat paraprake, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt ligjor dhe administrativ”, thuhet në deklaratën e Drejtorisë së Burgjeve.
Si ndodhi arratisja
Drejtoria e Burgjeve sqaron të gjithë dinamikën se si ndodhi ngjarja, ku i paraburgosuri Altin Ndoci ka kryer një konsultë mjekësore me mjekun e IEVP Durrës, i cili ka rekomanduar vizitë te mjeku kirurg. Gjatë qëndrimit në pavionin infektiv për trajtimin mjekësor, pas vizitës nga mjeku kardiolog, sqaron Drejtoria e Burgjeve, i paraburgosuri është rekomanduar për trajtim dhe rikontroll pas dy orësh.
Gjatë kësaj kohe, njofton Drejtoria e Burgjeve, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet dhe është shoqëruar nga punonjësit e Policisë së Burgjeve, por në këtë moment ka kundërshtuar dhe goditur punonjësit, duke arritur të arratiset.
Një nga policët e burgjeve ka qëlluar një herë me armë zjarri për paralajmërim, por i burgosuri ka arritur të dalë nga godina dhe të largohet. Nga oborri i spitalit ai është larguar me një automjet tip Audi A7 që dyshohet se e priste në parkimin e brendshëm.
“Më datë 13.01.2026, i paraburgosuri ka kryer konsultë mjekësore me mjekun e institucionit të vuajtjes së dënimit, i cili ka rekomanduar konsultë me mjek kirurg. Në vijim, nga strukturat përkatëse të IEVP Durrës (shërbimi shëndetësor, policia e burgjeve, sektori social dhe ai ligjor) janë hartuar aktet përkatëse dhe është planifikuar shoqërimi për vizitë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, sipas itinerarit: IEVP Durrës – Spital Rajonal Durrës – kthim në IEVP, brenda së njëjtës ditë.
I paraburgosuri është paraqitur në pavionin infektiv për marrjen e trajtimit mjekësor. Pas vizitës mjekësore nga mjeku kardiolog në Spitalin Rajonal Durrës, është rekomanduar mjekim dhe rikontroll pas 2 (dy) orësh. Gjatë kohës që ka qenë duke marrë trajtim mjekësor, shtetasi Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga punonjësit e Policisë së Burgjeve, por gjatë këtij momenti ka kundërshtuar dhe goditur punonjësit, duke arritur të arratiset”, thuhet në njoftim.
Masat e marra
Si pasojë e ngjarjes së rëndë, Drejtoria e Burgjeve ka pezulluar të gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës, përfshirë drejtorin, shefat e policisë, shërbimin shëndetësor dhe punonjës të tjerë të përfshirë.
• z. Indrit Cerloj – Drejtor i IEVP Durrës;
• z. Afrim Zeqiraj – Shef i Policisë;
• z. Dezdemon Pazaj – Shef i Policisë IEVP Durrës (i komanduar);
• znj. Ylfete Sema – Shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor;
• z. Aulon Quku – Kryeinfermier;
• z. Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Idajet Calamaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• znj. Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve.
Referuar ngjarjes dhe veprimeve të ndërmarra Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, nën drejtimin Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, është vendosur ndalimi i shtetasve të mëposhtëm:
• Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve;
• Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës.
Kush ishte Altin Ndoci
Altin Ndoci ndodhej në paraburgim prej 2020 për vepra të rënda penale. Ai njihet si pjesë e organizatës së Çopjave, si dhe dyshohet i përfshirë në masakrën e Bradasheshit në Elbasan ku mbeti i vrarë vëllai i Erion Alibej, xhaxhai i Alibej dhe një shtetas turk.
Sipas dosjes së SPAK-ut, Altin Ndoci akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e Andi Zylyfit.
Ndoci akuzohet për “Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një herë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit) dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




