Spitali Memorial, shembulli i autonomisë financiare, ministrja Sala: Në 2026 do rishikojmë sistemin spitalor në të gjithë vendin

Shëndet | 9 muaj më parë

Spitali Rajonal Memorial është një nga institucionet shëndetësore në vend që funksionon në bazë të modelit të autonomisë menaxheriale dhe financiare. Ky spital është një shembull i organizimit të brendshëm, ku proceset menaxheriale dhe financiare janë të strukturuara në mënyrë që të mundësojnë shërbime më të cilësuara dhe të shpejta për qytetarët.

Gjatë një vizite të fundit në këtë institucion, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, ndau vizionin e saj për të ardhmen e sistemit spitalor, duke theksuar rëndësinë e autonomisë dhe efikasitetit në menaxhimin e shërbimeve shëndetësore.

“Është i vetmi spital në vend që ka autonomi financiare që mund të menaxhojë dhe të planifikojë në mënyrë autonome. Në 2026 një nga prioritete që kemi është që të rishikojmë sistemin spitalor në të gjithë vendin duke pasur parasysh efikasitetin e shërbimeve që i japim pacientit”, tha Sala.

Në vitin 2026, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale planifikon të nisë një proces të thellë riformatimi të sistemit spitalor, i cili do të përfshijë modernizimin e menaxhimit dhe përmirësimin e shërbimit për pacientët. Ky riformatim do të synojë rritjen e efikasitetit dhe ofrimin e kujdesit shëndetësor të nivelit të lartë për të gjithë qytetarët, kudo në vend.

Në 5 vitet e fundit, Spitali Rajonal Memorial ka ofruar më shumë se 1,500,000 shërbime për pacientët e rajonit të jugut.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme