Pezullimi i vizave me SHBA/ Berisha: Përgjigjen më të qartë e dha Ambasada Amerikane
Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar pas vendimit të SHBA-së për pezullimin e vizave për 75-vende, mes të cilave përfshihet edhe Shqipëria.
Kryedemokrati u shpreh se përgjigjen më të saktë për këtë gjë, e dha ambasada amerikane në reagimin e saj ditën e djeshme.
“Mendoj se përgjigjen kësaj pyetje ia dha qartësisht ambasada e SHBA. Dhe unë nuk mund të shtoj as të heq ndonjë gjë nga shpjegimi i djeshëm i ambasadës”, deklaroi Berisha.
Sipas Ambasadës Amerikane, aplikantët për vizë emigruese që janë shtetas të vendeve të prekura mund të dorëzojnë aplikimet për vizë dhe të marrin pjesë në intervista, dhe Departamenti do të vazhdojë të caktojë takime për aplikantët, por asnjë vizë emigruese nuk do të lëshohet për ta gjatë kësaj periudhe pezullimi.
Ambasada Amerikane i ka dhënë përgjigje edhe disa pyetjeve në lidhje me këtë vendim, duke sqaruar se ky pezullim do të zbatohet vetëm për aplikantët e vizave emigruese dhe jo ato turistike.
Në lidhje me vizat aktuale të vlefshme, Ambasada thekson se asnjë vizë emigrimi nuk është hequr si pjesë e këtij udhëzimi.
Përjashtim nga ky vendim bëjnë shtetasit me dyshtetësi që aplikojnë me një pasaportë të vlefshme të një vendi që nuk është i përfshirë në listën e 75 vendeve.
Ky vendim do të hyjë në fuqi më 21 janar të këtij viti, teksa Ambasada Amerikane sqaron se Departamenti i Shtetit po kryen një rishikim të plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




