Kokainë në lëkurë kafshësh, SPAK mbyll hetimet për grupin e trafikut nga Amerika Latine
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për një nga grupet më të strukturuara të trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë.
SPAK ka dërguar për gjykim 10 persona, mes tyre 7 shtetas shqiptarë dhe 3 të huaj, të arrestuar në nëntor të vitit 2024, pas një hetimi disa mujor të drejtuar nga prokurori Adnan Xholi.
Sipas organit të akuzës, grupi kriminal trafikonte kokainë të fshehur në lëkurë gjedhësh, duke e transportuar nga Amerika Latine drejt Portit të Durrësit.
Droga më pas përpunohej në një laborator të posaçëm në Qerekë të Krujës, si dhe në ambiente mbështetëse në Tiranë dhe Durrës.
Hetimi u thellua pas sekuestrimit të 485 kilogramëve kokainë të fshehur në pleh kimik në Frakull të Fierit, pranë banesës së ish-funksionarit vendor Viktor Çervanaku.
SPAK zbuloi se grupi përdorte kompaninë “Alb Lëkurë” për të kamufluar aktivitetin kriminal, duke kryer pagesa dhjetëra mijëra dollarëshe drejt firmave në Republikën Domenikane për importe lëkurësh.
Në mesin e të arrestuarve është edhe kolumbiani Hiwlen Ledezma Narvaez, i njohur si “Gafas”, i kërkuar në Kolumbi si lider i një grupi trafiku kokaine. SPAK dyshon se grupi ka prodhuar drogë edhe për llogari të organizatave të tjera kriminale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




