Rama: Do prodhojmë për vete dhe eksport uniformat ushtarake, mjetet ushtarake dhe dronët inteligjentë

Politikë | 9 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama njoftoi se Shqipëria, përmes kompanisë shtetërore “KAYO” vendi do të prodhojë vetë uniformat ushtarake, dronët inteligjentë si dhe mjetet ushtarake. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, Rama tha se kompania do të shërbejë jo vetëm për Forcat e Armatosura shqiptare, por do të prodhojë edhe për eksport.

“Shteti po merr pjesë në sipërmarrje, krejt e kundërta e rrugës që çon në abuzime me aset publike, në abuzim me fondet publike. Sot, zhvillohej seanca  fundit e negociatave dhe mund të jetë akoma në zhvillim me një prej ekselencave më të mëdha të botë, “Fincantieri”, kompania italiane lider në prodhimin e anijeve. Falë kopanisë tonë publike “KAYO-s”, ne kemi hyrë në një marrëveshje me “Fincantieri” për një kompani të përbashkët, 51% do t’i kenë italianët, 49% do t’i ketë shteti shqiptar. Aktiviteti i kompanisë në portin e Pashalimanit do të bëjë që nga njëra anë ushtria shqiptare të vazhdojë të ngrejë forcën e vet detare, duke prodhuar në vend anijet në dispozicion të saj, do të bëj mirëmbajtjen e tyre me një kompani ku shteti shqiptar është aksioner dhe patjetër që do të krijojë punësim të specializuar me paga të larta. Nga ana tjetër kjo kompani do të marrë dhe porosi nga vend të tjera dhe më pas do i shesë. Nga shitja shteti shqiptar, Forcat e Armatosura do të përfitojnë 49%. Do të bëjë mirëmbajtjen e anijeve të rojës bregdetare të vendeve të NATO-s, në Shqipëri”, tha Rama.

Rama theksoi se qëllimi është që shteti të mos jetë thjesht blerës i pajisjeve ushtarake nga jashtë, por të prodhojë vetë ato që i nevojiten ushtrisë dhe të ketë mundësi eksporti, duke shmangur abuzimet e së kaluarës por edhe e kthyer këtë një biznes fitimprurës për vendin

“Ndërkohë ju dëgjoni që është krijuar një KAYO për të kanalizuar paratë e drogës dhe për t’i hapur rrugë kontrabandës së armëve. Kjo është akuza. Kjo nuk është komani private, as që fshihet një person privat, por është kompani e shtetit shqiptar. Rritja e buxhetit të NATO-s për të gjitha vende, bërë që nga momenti i linçimit, Kryeministria arriti të bëhej si një supermarket ku hynin dhe dilnin shitës që doni të takoheshin me mua për të më thënë që kemi motorë, makina, aeroplanë, helikopterë. Ne jemi budallenj që paratë e buxhetit t’i përdorim thjeshtë për të blerë ndërkohë që me ato para do të blejmë çfarë nuk prodhojmë dot, por makinat e ushtrisë do t’i prodhojmë vetë dhe jo vetëm për ushtrinë shqiptar, por dhe për eksport. Jemi budallenj ne që të vazhdojmë të bëjmë tendera uniformash që përfundojnë nën hetim, në një kohë kur ne kemi dijen më të madhe në Evropës për të qepur. Kjo kompani do të prodhojë uniforma edhe për vende të tjera dhe do të shërbejë edhe si bazë prodhuese edhe si porositës për fabrikat e tjera. Kjo po ndodh aktualisht, produktet e para të kësaj kompanie dhe do të dalin brenda këtij viti, nuk do të dalin në 2030. Po mirë, jemi budallenj që për çdo lloj droni duhet të shkojmë të kuturisemi për t’ua blerë të tjerëve? Pse nuk i prodhojmë dot ne dronët inteligjentë në Shqipëri? Ne kemi filluar punën për të prodhuar dronë inteligjentë në Shqipëri dhe jo dronë të thjeshtë, dronë të sofistikuar”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme