Nga Konferenca e Kryetarëve te seanca plenare, Kuvendi hap sot sesionin e ri

Politikë | 9 muaj më parë

Pas një pauze disa javore, nis sot sesioni i ri parlamentar. Deputetët rikthehen në Kuvend për seancën e parë plenare pas mbylljes së pushimeve, duke hapur zyrtarisht punimet e sesionit të ri parlamentar.

Punimet e Kuvendit do të nisin që në orët e paradites me mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, e cila zhvillohet në orën 11:00. Në fokus të diskutimeve do të jetë programimi i punës parlamentare për javët në vijim, përfshirë shqyrtimin e projektprogramit të punës së Kuvendit për periudhën 19 janar – 27 shkurt 2026, projektkalendarin e punimeve parlamentare deri më 6 shkurt 2026, si dhe projektkalendarin vjetor të kontrollit parlamentar. Në këtë mbledhje pritet gjithashtu miratimi i projektplanit të Veprimit të Kuvendit për zbatimin e rekomandimeve të raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2025.

Në vijim, në orën 12:30, do të mblidhet Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku do të miratohet kalendari i veçantë për shqyrtimin e kërkesave të ardhura, si dhe planet e punës për kërkesën e Këshillit të Lartë Gjyqësor mbi sigurinë në gjykata dhe për kërkesën e Agjencisë së Inteligjencës Financiare.

Dita parlamentare do të mbyllet me seancën plenare të Kuvendit, e cila do të zhvillohet më 19 janar 2026, në orën 17:00. Rendi i ditës parashikon hapjen e punimeve, miratimin e procesverbalit të seancës së datës 18 dhjetor 2025, si dhe njoftime.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme