Seanca në GJKKO për vrasjen e Santiago Malkos, i pandehuri Leonard Duka: Jam i pafajshëm. E ëma e viktimës: Të dënohet me vdekje

Aktualitet | 9 muaj më parë

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u zhvillua procesi gjyqësor ndaj Leonard Dukës, për të cilin Prokuroria e Posaçme SPAK ka kërkuar dënimin me 32 vite burg, për vrasjen e Santiago Malkos. Pas seancës së sotme, vendimi nga GJKKO pritet më 21 janar, ora 11:45.

Në seancë, avokatja e Dukës, Melina Gjeta, ka kundërshtuar konkluzionet e SPAK, duke deklaruar se ato nuk bazohen në prova të ligjshme, por në deduksione nga hetime të pjesshme dhe të paragjykuara, Sipas avokates, dëshmitë kryesore të paraqitura, përfshirë ato të Blendi Tetës dhe Ilir Selmanit, janë dhënë nën presion dhe nuk mund të përdoren si prova përfundimtare.

“Konkluzionet e SPAK nuk janë të bazuara në provë dhe ligj. Ska aanjë provë, por vetëm deduksione të krijuara nga një proces hetimor jo i plotë dhe i paragjykuar, më shumë të bazuara në histori të raportuara në media. Dëshmitari Blendi Teta, ka deklaruar para gjykatës që është kërcënuar dhe vënë në presion nga Polici e Shtetit dhe Ervis Martini dhe këto janë shkelje të rënda të ligjit. Dëshmia nuk i shërben me të vërtetës, por fabrikim të provës. Dëshmia e Tetës i cili pretendon në Gjykatë se e ka dhënë në presion nga Ervis Martini, nuk mund të përdoret nga Prokurori në konkluzione përfundimtare. Dëshmia e Blendi Tetës konfirmohet edhe nga ajo e Ilir Selmanit, të bashkëpandehurit tjetër. Duke i bërë ato të besueshme. Edhe Selmani ka thënë para kësaj gjykate se janë dhënë 500 mijë euro për të fundosur vëllezërit Duka. Prokuroria thotë se shkak për vrasjen është bërë hakmarrja për dy plagosje që dyshohet se ka kryer viktima Santiago Malko, por ato ngjarje janë ende pa autor dhe hetuesit i kanë pezulluar procedimet pasi nuk kanë gjetur autorët. Si mundet prokurori të përcaktoj autorin e atyre ngjarjeve, ndërkohë që personat kompetent qe i kanë hetuar nuk i kanë identifikuar. Transkripetet e Sky nuk janë prova të ligjshme dhe rezultatet e nxjerra nga to janë të paligjshme sipas legjislacionit shqiptar. Ato hyjnë më cenimin e lirisë dhe fshehtësisë së korrespondencës. Përgjimi i autoriteteve franceze përbën përgjim masiv, s’ka qenë i orientuar. Identifikimi i bërë nga opgj të kodeve, ka qenë amator dhe jo i besueshëm, pasi nuk është ndjekur procedura standarde. Vetë Leonard Duka ka deklaruar para gjykatës se ai nuk ka pasur në përdorim aplikacionin Sky”, tha avokatja.

Edhe i pandehuri Leonard Duka ka deklaruar para gjykatës se është i pafajshëm dhe akuzat ndaj tij janë të montuara nga policia.

“Deklaroj që jam i pafajshëm dhe Prokurori nuk ka asnjë fakt kundër meje. Kjo është e montuar  nga policia që të më dëmtojnë mua. Kam besim te drejtësia,” është shprehur ai.

Nga ana tjetër, e ëma e viktimës Santiago Malkos ka kërkuar që Duka të dënohet me vdekje.

“Leonard Duka më ka vrarë djalin. Me solli Erlis Dukën dhe Ilir Selmanin dhe me tha që skam gjë me Santin, por doli e me vrau djalin në mes të rrugës. Unë nuk dua dënim të përjetshëm, dua dënim me vdekje për këtë”, tha e ëma e të ndjerit.

Vendimi i GJKKO do të shpallet më 21 janar në orën 11:45. Leonard Duka, i akuzuar si një ndër autorët, u arrestua në shkurt 2024 në Belgjikë, ndërsa u ekstradua në Tiranë në gusht të po atij viti.

Santiago Malko, ish-punonjës policie, u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 me breshëri plumbash në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë. Malko ishte i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme